Maqedoni
Borel për fillimin e bisedimeve: Nuk premtoj datë, muaj, përpiqemi
14.03.2022 14:36
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Zhozef Borel nuk premton se në samitin e qershorit...

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Zhozef Borel nuk premton se në samitin e qershorit RMV dhe Shqipëria do t’i fillojnë bisedimet me BE-në, por siguron se insitucionet evropjane po bëjnë çmos që të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes dhe t’i hapet rruga procesit integrues të vendit. Vlerëson harmonizimin e sanksioneve të vendit me BE-në ndaj Rusisë dhe sipas tij, ky vendim e përafron edhe më tepër Unionin Evropian me Maqedoninë e Veriut.
“Nuk mund të premtoj por mund t’ju siguroj se po bëjmë gjithçka që mundemi që fillimi i bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojë në konferencës e ardhshme ndër-qeveritare sepse kjo është prioritare për Komisionin Evropian, për mua personalisht gjithashtu dhe prioritet gjeopolitk në këtë kohë. Shpresoj se puna intensive mes Shkupit dhe Sofjes do të sjell rezultate, do të zgjidhin çështjet bilaterale sipas një zgjidhjeje të pranueshme dhe do mundësohet fillimi i bisedimeve.”, tha Zhozef Borel, përfaqësues i lartë i BE-së.
Kovaçevski: BE të sigurojë rajonin, s’ka stabilitet në Evropë
Në kohë jostabiliteti në një pjesë të kontinentit, Bashkimi Evropian si asnjëherë më parë duhet të jetë e bashkuar dhe e fuqishme, tha kryeministri Kovaçevski. Shton se duhet përshpejtuar integrimi rajonal dhe të mbyllen hapsirat për mundësinë e depërtimit të forcave të treta. Me Bullgarinë po punojmë sipas një principi të ri, që besojmë të na shpie në rezultat, theksoi shefi i ekzekutivit, Kovaçevski.
“Është me rëndësi të madhe që BE dhe vendet anëtare të përfshihen maksimalisht tani, sepse zgjerimi tashmë nuk është vetëm çështje strategjie por edhe sigurie… Lufta që po ndodh është rrezik për rritjen e ndikimit të palëve të treta në rajon, për çka të gjithë duhet të jemi të vemendshëm dhe të përgatitur… Integrimi i RMVsë dhe rajonit në BE, do të sigurojë stabilitet në Evropë.”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Borel është takuar edhe me shefin e shtetit Pendarovski, kryeparlamentarin Xhaferi dhe me ministrin e jashtëm Osmani. Zyrtarët e vendit kanë përcjellur mesazhin se fillimi i bisedimeve me BE-në mes tjerash paraqet njësi matëse për kredibilitetin e Bashkimit Evropian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
