Barazia gjinore, mundësi të barabarta edhe në sferën digjitale
Në epokën e re digjitale, sfida kryesore....

Në epokën e re digjitale, sfida kryesore në të ardhmen do të jetë se si të shfrytëzohen mundësitë e ofruara nga revolucioni dixhital duke minimizuar në të njejtën kohë rreziqet e ngecjes së grave në këtë proces.
Në konferencën “Nga marshi për të drejtat e punës, në ekonominë dixhitale”, pjesëmarrësit kërkuan të krijohen politika dhe strategji për barazi më të madhe dhe mundësi të barabarta për burrat dhe gratë në sferën digjitale.
“Në një epokë të re, epokën dixhitale, ndarja dixhitale midis burrave dhe grave do të zgjerohet. Kjo konferencë është thirrje për zgjim në favor të politikave aktive për barazi gjinore dhe krijimit të një mjedisi të favorshëm që do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe fuqizim të grave” – tha Neda Maleska Sachmaroska, Drejtoreshë ekzekutive e QMN-së.
Sipas studimeve më relevante ndërkombëtare, pjesmarrja e barabartë e grave në tregun e punës, çon përpara rritjen ekonomike dhe krijon vlera për të gjithë shoqërinë thanë panelistët.
“Eksperiencat globale kanë treguar se nëse kërkon mënyrë për të gjeneruar rritjen ekonomike, ju duhet të insistoni dhe investoni në fuqizimin e femrës dhe barazinë gjinore’ – u shpreh përfaqësuesi i zyrës së USAID-it në RMV, Erik Janovski.
“Kompanitë që kanë edhe gra në pozicione udhëheqëse, shumë herë janë më të suksesshme për shkak të këndvështrimit më të gjerë dhe perspektivës për biznes. Shtetet me balanc më të madh gjinor, më shpejt dhe më lehtë i kapërcejnë krizat ekonomike” – deklaroi bashkëshortja e presidentit Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska.
Për vitin 2022 janë parashikuar masa për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e subjekteve juridike dhe mundësi që personat e papunë të mund të nisin bizneset e tyre thonë nga ekzekutivi.
Konferenca ishte pjesë e projektit “Masat për Forcimin e Bizneseve të Grave pas Covid-19” , mbështetur nga USAID. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
