Maqedoni

Debat publik, prezentohet projektligji për revizion shtetror

14.03.2022 15:22

Forcim të pavarësisë financiare dhe operacionale kërkojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Forcim të pavarësisë financiare dhe operacionale kërkojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit. Duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe harmonizuar me rregullativën ligjore evropiane duhet të ngriten kapacitetet e institucionit që kujdeset për fondet publike, thotë kryerevizori  Maksim Acevski. Sipas tij zgjidhja ligjore duhet të sigurojë transparencë në kryerjen e revizioneve.
 
“Pres që ekzekutivi do të shqyrtojë dhe pranojë draft-versionin e ligjit për Revizion Shtetëror dhe do të propozojë një projektligj për Revizion Shtetëror i cili do të shqyrtohet dhe miratohet nga Kuvendi i RMV-së. Miratimi i Ligjit për Revizion Shtetëror do të sigurojë krijimin e kushteve për pavarësinë financiare dhe operacionale të Entit Shtetëror të Revizionit, vlerësimin e duhur të rezultateve të punonjësve dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm kontrolli.”, tha Maksim Acevski, revizior kryesor i shtetit.
 
Nga qeveria thonë se nevojitet një mekanizëm efikas për zbatimin e rekomandimeve të dhëna. Ndërkohë kanë një vërejtje lidhur me propozimin për mandatin e revizorit dy herë me nga 9 vite dhe mosndëshkimin e revizorëve.
 
“Këtë e konstatuam në një nga seancat e para të kësaj përbërje të qeverisë dhe arritëm në përfundimin se duhet gjetur një mekanizëm i ri se si dhe cila është rruga për monitorimin efektiv të zbatimit të indikacioneve nga Enti i Revizionit Shtetëror.”, tha Slavica Grkovska, zv/kryeministër për luftë kundër korupcionit.
 
Sipas OJQ-ve, çelësi për shpenzimin efikas të parave publike është krijimi i sistemeve efektive të mbikëqyrjes financiare.
 
“Konkluzionet kryesore të punës së tyre, përveçse ndahen me institucionet përkatëse, komunikohen edhe me median dhe publikun, duke u bërë presion shtesë subjekteve për të punuar me efektivitet dhe brenda ligjit. Megjithatë, që i gjithë sistemi i kontrollit financiar të jetë në gjendje të përmbushë qëllimin e tij, të gjitha pjesët e atij sistemi duhet të plotësojnë rolin e tyre.”, tha Damir Neziri nga fondacioni për demokraci vestminster.
 
Ligji i parë për Revizionin Shtetëror është miratuar në vitin 1999. Me sigurimin e raporteve cilësore të reviozionit synohet përmirësimi i jetës së qytetarëve thonë nga ky institucion.
 
NAIM RAMADANI