Maqedoni

Dialogu me Serbinë të vazhdojë, por me kohë të kufizuar

30.12.2014 12:19

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë në formatin e mëparshëm, por me kohë të kufizuar”...

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Jahjaga theksoi se është detyrim i të dy shteteve që të përmbushin të gjitha obligimet që kanë marrë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të arritura deri tani.
 
“Duhet të jemi të hapur dhe të pranojmë se nuk është arritur progresi i duhur në zbatimin e një numri të konsiderueshëm të marrëveshjeve deri tani, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me tërheqjen e përkrahjes dhe financimit të strukturave ilegale në veri të territorit të Kosovës, që është detyrim i shtetit fqinj”- tha Jahjaga.
 
Presidentja e Kosovës tha se pa i zgjidhur problemet mes fqinjëve, rajoni i Ballkanit nuk mund të përparojë drejt familjes së madhe evropiane.
 
Presidentja Jahjaga, deklaroi se ngërçi politik, që zgjati plot 6 muaj, e ka dëmtuar Kosovën. Ajo pranoi se pikërisht për këtë shkak ka ende shumë punë për të bërë, për ta kompensuar këtë humbje kohe e për të kapur ritmin për vitin që vjen.