Pushtimi rus dhe ndikimi në ekonominë globale
Pushtimi rus i Ukrainës....

Pushtimi rus i Ukrainës krijoi rreziqe të reja për ekonominë globale që po luftonte me inflacionin në rritje dhe që po rimëkëmbej nga pasojat e pandemisë së Covid-19. Përshkallëzimi i luftës, si dhe sanksionet e reja që mund të vendosë SHBA-ja dhe aleatët e saj ndaj Rusisë, padyshim që pritet të kenë ndikim të mëtejshëm, sidomos në ekonominë evropiane, duke pasur parasysh varësinë e saj të madhe nga gazi rus.
Rusia dhe Ukraina së bashku, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë botërore dhe eksporteve për Evropën dhe SHBA-në. Rusia, është një nga furnizuesit kryesor të naftës, gazit natyror dhe mallrave të tjera. Nga ana tjetër, BE-ja mbështetet te Rusia për gati gjysmën e importeve të gazit natyror dhe pothuajse një të katërtën e importeve të saj të naftës.
Ukraina dhe Rusia mundësojnë gati 30% të eksporteve globale të grurit, duke tregtuar miliona tonë grurë në ekonomitë e brishta në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Egjiptin, Turqinë dhe Libanin. Gjithashtu, Ukraina është ndër eksportuesit kryesorë edhe të misrit e elbit, dhe të gjitha dërgesat e saj ndërkombëtare të drithërave, kalojnë përmes Detit të Zi.
Në një kohë kur çmimet e energjisë shënonin rritje edhe përpara nisjes së luftës, çdo ndërprerje e furnizimeve nga Rusia dhe Ukraina mund t’i rrisë çmimet akoma dhe më shumë dhe të dobësojë ekonominë globale, veçanërisht në Evropë.
“Paqja është shumë më e mirë se çdo lloj lufte edhe nga pikëpamja ekonomike. Banka Qendrore Europiane po monitoron nga afër implikimet nga situata në Ukrainë. Banka do të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës të perspektivës ekonomike. Këtu përfshihen edhe zhvillimet e fundit në fushën gjeopolitike”, thotë presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.
Sipas zyrtarëve të Bankës Qendore, konflikti Rusi-Ukrainë do të rrisë çmimin e energjisë dhe gjithashtu mund të ketë një ndikim negativ në rritjen ekonomike, kjo pasi do të bjerë besimi dhe investimet do të jenë të pakta.
