ISHP: 165 të hospitalizuar, 23% më pak se javën e kaluar
Është ulur ndjeshëm numri i të hospitalizuarve....

Është ulur ndjeshëm numri i të hospitalizuarve, infektimeve të reja dhe fataliteteve Covid në vend.
Në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), thuhet se aktualisht në spitale ka 165 pacientë, apo 23% më pak se një javë më parë, pesë prej tyre janë në ventilim mekanik.
“Në periudhën prej 7 deri më 13 mars, janë regjistruar 1.818 raste të reja pozitive nga 30 qytete, një ulje prej 27,4 % në raport me javën e kaluar. Por edhe numri i testimeve, është ulur për 12 %. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara vazhdojnë të jenë në Shkup. Incidenca më e lartë javore është regjistruar në Kavadar. Ka persona të infektuar në të gjitha grupmoshat, grupmosha më e zakonshme është mbi 60 vjeç , numri më i ulët është regjistruar në grupmoshën deri në 9 vjeç, ku vërehet edhe ulja më e madhe e rasteve me 41.7%”, thuhet në raport.
Gjatë javës së fundit janë raportuar edhe 267 riinfeksione, që paraqet rënie prej 28,2 % krahasuar me javën e kaluar.
Gjithashti edhe 2400 persona janë shëruar gjatë kësaj jave monitorimi, në kushte spitalore apo në mjekim shtëpiak.
Ka një ulje prej 33% edhe në numrin e fataliteteve. Janë raportuar 34 vdekje në 13 qytete .Pjesa më e madhe e tyre janë nga Shkupi (17 raste). Për sa i përket moshës, janë regjistruar 33 vdekje në grupmoshën mbi 60 vjeç dhe një i vdekur në grupmoshën 50-59 vjeç.
Deri më 12 mars, me një dozë vaksine janë vaksinuar gjithsej 871.669 persona. Plotësisht të vaksinuar (me dy doza) janë gjithsej 851.655 persona dhe me dozën e tretë janë vaksinuar 147.223 persona, tregojnë të dhënat e ISHP-së.
