Osmani: Borel alarmoi nevojën për vendime të duhura
Lufta në Ukrainë bëri që zgjerimi i BE-së....

Lufta në Ukrainë bëri që zgjerimi i BE-së të mos jetë vetëm strategji politike por edhe e sigurisë dhe këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e BE-së, tha ministri i jashtëm, Osmani.
Duke e komentuar deklaratën e diplomatit të lartë të BE-së Borel, se me gjithë pasigurinë në kontinentin e Evropës nuk premtohet për muaj të caktuar për fillimin e bisedimeve me vendin tonë, ministri Osmani doli me përgjigje se Borel ka alarmuar për nevojën e vendimeve të duhura për Ballkanin, por nuk mundet ai ta përfaqësojë tërë BE-në dhe vendet anëtare të saj.
Në raport me Sofjen, Osmani tha se vazhdojnë bisedimet, por nuk ka përafrim të qëndrimeve mes palëve.
“Borel nuk mund të flasë në emër të anëtarëve të BE-së, mirëpo shprehu vullnetin për t’u angazhuar personalisht, por edhe alarmoi vendet anëtare se tashmë është më e nevojshme se kurrë të merren vendime të duhura, se kjo çështje është më çështje e sigurisë, për shkak se unë mendoj se dinamikat negative viteve të fundit në Ballkan kanë filluar me mospasjen e pozicionit të qartë ndaj RMV-së.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Gir: Shpreson në rezultatin mes Shkupit dhe Sofjes
Se situata në Ukrainë i ka dhënë dinamikë tjetër eurointegrimit të rajonit pajtohet edhe euroambasadori, Dejvid Gir. Ai shpreson në rezultatin mes Shkupit dhe Sofjes nga dialogu intensiv mes tyre, e më pas, vendet e BE-së njëzëri të japin dritë jeshile për RMV-në.
“Këtij diskutimi i jepet intensitet dhe energji e re në këto situata dhe për RMV - në, ajo që e duam ne realisht është hapja e bisedimeve sa më shpejt që është e mundur dhe të bëhen hapa në kontinuitet brenda 27 vendeve të BE-së, që të gjendet marrëveshje për fillimin e bisedimeve me vendin tuaj.”,- theksoi euroambasadori, Dejvid Gir.
Nga Ministria e Jashtme informuan edhe për qytetarët tanë të mbetur në Ukrainë. Sipas Osmani, vetëm edhe 8 shtetas të RMV-së kërkojnë evakuim ndërsa 20 të tjerët kanë vendosur të qëndrojnë në Ukrainë me vetdëshirë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
