Maqedoni

Kompani joekzistuese fitoi 90 tenderë për mirëmbajtje ashensorësh

15.03.2022 15:30

Kompani jo-ekzistuese për mirëmbajtjen e ashensorëve, me certifikatë ISO...

Kompani jo-ekzistuese për mirëmbajtjen e ashensorëve, me certifikatë ISO, vërtetime dhe nënshkrime të falsifikuara kroate dhe pa qenë fare e regjistruar si subjekt në Regjistrin Qendror ka arritur të fitojë rreth 90 tenderë për instalimin, servisimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve nga institucionet publike. Kjo lëndë u hap nga anti-korrupsionerët në bazë të disa parashtresave të dorëzuara më herët. Anti-korrupsionerët  nuk dëshirojnë të publikojnë emrin e kompanisë, por kërkojnë nga Prokuroria Themelore Publike hetime urgjente jo vetëm ndaj këtij subjekti ekonomik, por të hetojnë edhe kompanitë të tjera të cilat mirëmbajnë ashensorët e banesave kolektive në kryeqytet.    
 
“Ekzistojnë dyshime se ky operator ekonomik, menaxheri i tij, si dhe personi fizik, i cili i ka falsifikuar certifikatat e punës, kanë kryer vepër penale në bazë të  nenit 275  të Kodit Penal. Edhe pse operatori publik nuk ka qenë i evidentuar në Regjistrin Qendror, ai në thirrjen publike i ka dorëzuar certifikatat ISO dhe vërtetimin e falsifikuar, se kinse certifikimi i kompanisë në fjalë është kryer nga një kompani kroate. Në këtë drejtim ai ka falsifikuar nënshkrimin e një personi tjetër të kompanisë kroate, në cilësinë e drejtorit të firmës për ta paraqitur certifikimin e firmës jo-ekzistuese si valide.”,- deklaroi anëtari i KSHPK-së, Vladimir Georgiev.
 
“Kjo, vepër klasike penale. Po shpresojë se prokurori publik do të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe madje do të shkojë edhe përtej këtij rasti dhe do të kthehet në kohën e kaluar ku do të arrijë t’i  zbulojë edhe rastet e tilla në të kaluarën, pasi që unë mendoj se kjo nuk ka ndodhur vetëm tek subjektet publike, por ka ndodhur ndoshta edhe me kompani tjera që mirëmbajnë ashensorët e banesave kolektive.”,- u shpreh anëtarja e KShPK-së, Sofka Pejkovska Dojçinovska.
 
Anti-korrupsionerët kërkojnë që Qeveria urgjentisht t’i informojë të gjitha organet përkatëse që do të bëjnë thirrje të tjera publike për mirëmbajtjen e ashensorëve që në rast të paraqitjes së sërishme të kësaj kompanie, ajo të largohet nga pjesëmarrja në tender. 
 
“Ne do të dorëzojmë paralajmërim deri tek Qeveria, ku më pas ata, në seancë qeveritare, përmes rregullores së tyre të punës, do t’i njoftojnë organet kompetente për këtë rast.”,- u shpreh anëtarja e KShKP-së, Katica Nikollovska.
 
“Nëse dikush dëshiron të menaxhojë me integritetin, ashtu siç duhet  dhe në drejtim të interesit publik, atëherë është e mjaftueshme kjo që kemi tani në formë të shkruar nga ne për të vlerësuar dhe për të parandaluar këto raste dhe për t’i larguar këto kompani nga tregu i punës.”,- tha anëtari i KShK-së, Nuri Bajrami.
 
Anti-korrupsionerët thonë se në rastin konkret Komisioni për Thirrje Publike pasi që e kishte kontrolluar vlefshmërinë e certifikatave ISO të kompanisë jo-ekzistuese, nuk u pranua oferta e tyre. E pakënaqur nga ky vendim, kompania jo-ekzistuese, madje kishte dorëzuar edhe ankesë deri te Komisioni Shtetëror për Thirrjet Publike, e cila po ashtu ka qenë e refuzuar si e pabazë. 
 
REXHEP QAMILI