Sportet E Tjera

Klubi i mundjes Liria, drejt kthimit në rrugën e sukseseve

30.12.2014 14:15

Klubi i mundjes Liria, me kryesinë e re të zgjedhur në Kuvendin Zgjedhor që u mbajt gjatë javës së kaluar...

Klubi i mundjes Liria, me kryesinë e re të zgjedhur në Kuvendin Zgjedhor që u mbajt gjatë javës së kaluar, ka nisur menjëherë me punë, me të vetmin qëllim, arritjen e rezultateve sa më të mira, jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë kufinjëve të Maqedonisë.
 
Betim Vrenezi mbeti në postin e kryetarit, ndërsa tani e tutje, njeriu numër dy I klubit më të suksesshëm shqiptar në vendin tonë, do të jetë Ismet Guri, një person I cili e do mundjen me zemër. Ndjehem i privilegjuar që tani e tutje do të punoj në këtë klub dhe me këtë rrini të shëndoshë, është shprehur Ismet Guri.
 
“Është një sport të cilin unë e adhuroj. Personalisht do të mundohem të ndihmoj jo vetëm në mundje, por në çdo sport ku kemi nevojë. Do të kisha thënë që sporti I mundjes njihet me traditë në vendin tonë dhe sidomos me klubin e mundjes Liria, pasi prej këtu kanë dal kampiona të Evropës, Botës si dhe kampiona olimpik. Duke e parë rininë e shëndoshë në këtë klub dhe angazhimin e tyre për punë dhe rezultate të mira, mendoj se do ti`a dalim dhe nuk do të dështojmë”, ka deklaruar ai. 
 
Liria është e pakontestueshme me arritje të mëdha në vendin tonë, por synimi ynë do të jenë rezultatet e mira në arenën ndërkombëtare, ka vazhduar Guri.
 
“Liria është kampion dhe sërish do të jemi kampiona të Maqedonisë. Por, ne do të mundohemi që të kemi rezultate më të mira në Europë, Botë, por pse jo edhe në Lojërat Olimpike. Do ta them edhe ate që unë jam ish anëtar i Federatës së Mundjes të Maqedonisë. Një periudh isha larg mundjes, mirëpo pas konsultimeve dhe bisedave që kisha me stafin udhëheqës të klubit, mendoj që të kemi rezultate dhe nga ne do të dal ndonjë kampion I madh”, ka vazhduar Guri.
 
Me ndihmën e afaristëve dhe Komunës Çair, por edhe punë të palodhshme nga të gjithë ne, mund ti`a dalim, ka përfunduar nënkryetari i ri I klubit të mundjes Liria.
 
“Shpresoj që do të jemi aktiv. Me në krye Komunën Çair dhe kryetarin Izet Mexhiti, me afaristët e ndryshëm si dhe stafin, mendoj se do të arrijmë rezultatet e duhura dhe jam i sigurtë që do të jetë kënaqësi të punohet në këtë klub. Dhe për fund, e kërkojmë edhe përkrahjen e mediumeve, pa të cilat nuk mund të arrijmë ate që e synojmë”, ka përfunduar Ismet Guri.   
 
Për fund, do shtuar se kryesia e re, menjëherë ka përvjel krahët, duke siguruar veshje të reja sportive për mundësit e të gjitha kategorive, si dhe duke organizuar përgatitjet bazike dimërore, të cilat do të fillojnë me 7 janar. 
 
MUSTAFA ADEMI