Maqedoni

Vaksinimi, ulet interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar

15.03.2022 15:58

Në krahasim me muajt e kaluar, aktualisht është ulur interesimi i personave për t’u vaksinuar, thonë nga Poliklinika e Çairit...

Në krahasim me muajt e kaluar, aktualisht është ulur interesimi i personave për t’u vaksinuar, thonë nga Poliklinika e Çairit. Në këtë pikë vaksinimi brenda një jave janë vaksinuar 275 persona. 
Me heqjen e disa masave për Kovid-19, është ulur dukshëm numri i personave për t’u vaksinuar. Nga Poliklinika e Çairit thonë se shumë pak qytetarë vijnë për t’u vaksinuar edhe atë vetëm me dozën e tretë.
 
Interesimi më tepër vjen nga sistemi “Termini im”, mirëpo jo aq sa janë të regjistruar në termin.
 
“Gjatë këtij muaji interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar ishte i ulët, edhe pse kemi termine të regjistruara nga MSH nga sistemi “Termini im”. Nëpërmjet këtij sistemi janë të regjistruara rreth 500-600 termine në ditë dhe prej tyre arrijnë të vijnë deri në 50 maksimum. Interesimi më i madh është për vaksinën  e tretë, ndërsa për të parën dhe të dytën nuk ka shumë interesim, është ulur jashtëzakonisht interesimi nga heqja e disa masave nga Komisioni për Sëmundje Infektive.”,- deklaroi Vlora Azizi nga Poliklinika e Çairit.
 
Qytetarët që i hasëm në poliklinikë nuk shprehen të interesuar për të marrë dozën e tretë të vaksinës.
 
“Jo jo nuk jam vaksinuar…nuk e shoh të arsyeshme kur jam shumë mirë për çka ta marr.”,- tha një qytetar.
 
“I kam marrë të tria, mirë njehërë po ndihem.”,- theksoi një qytetar. 
 
“Vetëm dy doza, të tretën po thonë mos me marrë.”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Dy i kam marrë, të tretën jo.”,- potencoi një qytetar. 
 
Në raportin javor të Institutit të Shëndetit Publik javën e kaluar janë regjistruar gjithsej 1.818 raste të reja pozitive nga 30 qytete të vendit, që përbën ulje prej 27.4 për qind, në raport me një javë më parë. Numri, megjithatë, i testeve të kryera për Kovid-19 në periudhën 7-13 mars është ulur për 12 për qind. Gjatë javës së kaluar janë raportuar gjithsej 267 riinfeksione, që paraqet rënie prej 28.2 për qind krahasuar me një javë më parë. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI