Botë
Rama: Shqipëria sa më parë të nis bisedimet me BE-në
15.03.2022 16:23
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ftuar Këshillin e Bashkimit Evropian të çelë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ftuar Këshillin e Bashkimit Evropian të çelë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE sa më parë, sepse siç tha kryeministri po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet. Rama këtë e deklaroi pas takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, me ç’rast kërkoi që nëse BE do ketë plan për përballimin e pasojave të luftës të mos e lërë Ballkanin jashtë atij plani.
“Unë mbetem aty ku kam qenë edhe më parë. Kjo është një çështje e BE-së. Komisioni Evropian në mënyrë të përsëritur e ka thënë se Shqipëria duhet të ulet në tryezë për të nisur bisedimet për anëtarësim. Këshilli i BE-së nuk ka arritur dot ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi së fundmi të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo nuk është diçka që e kemi ne në dorë.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Borel: BE e shqetësuar nga influenca ruse në Ballkan
Përfaqësuesi i Jashtëm i BE-së, Borrell, tha se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe se në Bruksel po punojnë fort që ajo të hap negociatat brenda presidencës franceze. Lufta në Ukrainë e bën edhe më emergjente integrimin e Ballkanit, tha Borell, sipas të cilit, BE është e shqetësuar nga influenca ruse në Ballkan.
“Ne na duhet që ta kuptojmë dhe të përballemi me influencën ruse kudo ku ajo ndodhë në Ballkani perëndimor, në disa vende më shumë se në të tjera. Ne sigurisht që jemi të ndërgjegjshëm se Ballkani perëndimor do të jetë një fushëbetejë për të ardhmen, për atë se cilën rrugë do të ndjekin vendet e Ballkanit perëndimor në të ardhmen.”,- theksoi përfaqësuesi i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell.
Mercenarët shqiptarë në Ukrainë, Rama: Deklaratat ruse, të pavërteta
Kryeministri Rama i ka cilësuar të pa vërteta dhe shqetësuese, deklaratat e Rusisë se mercenarë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova po luftojnë në Ukrainë.
"Përmendja e vazhdueshme e Shqipërisë nga Moska si prani problematike në këtë konflikt dhe akuzat se Shqipëria po furnizon Ukrainë me mercenarë së bashku me Kosovën është një akuzë pa asnjë bazë dhe e pavërtetë, por edhe shqetësuese. Ne po e ndjekim me shumë vëmendje edhe këtë aspekt.",- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Borrell njëherit njoftoi paketën e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë, duke e vlerësuar të tmerrshme atë se si udhëheqja ruse vijon të sulmojë Ukrainën. Pakoja e Sanksioneve synon të kontribuojë për të rritur presionin ekonomik ndaj Kremlinit si edhe të gjymtojë bazën logjistike. Siç tha Borrell, masat do të kenë ndikim në tregtinë ruse, qasjen në tregje, eksportin e mallrave.
SANIJE DURAKU
