Maqedoni
Kumanovë, mbyllet spitali modular
15.03.2022 16:55
Për shkak të gjendjes stabile epidemiologjike dhe zvogëlimit të numrit të të infektuarve me Covid-19...

Për shkak të gjendjes stabile epidemiologjike dhe zvogëlimit të numrit të të infektuarve me Covid-19, kompetentët e Spitalit të Kumanovës njoftojnë se Spitali Modular, ku trajtoheshin të prekurit nga Covid-19, tanimë është mbyllur.
Disa nga ata pak pacientë të mbetur janë lëshuar në shërim shtëpiak, kurse 2-3 të tjerë janë transferuar në Repartin Infektiv të Spitalit të Kumanovës.
“Të premten edhe pacientët e fundit nga Spitali Modular u lëshuan, dikush në shërim shtëpiak, 2-3 pacientë u transferuan në Repartin Infektiv, ashtu që nuk ka nevojë më për funksionimin e këtij spitali, por shpresojmë që nuk do të ketë nevojë as në të ardhmen.”,- tha për TVM2 drejtoreshë e Spitalit të Kumanovës, Snezhana Zaharieva.
Ndërkohë që dukshëm ka rënë edhe numri i kontrolleve në ambulancën ditore edhe atë nga 120 pacientë në më pak se 40.
“Për momentin gjendja epidemiologjike është stabile dhe shpresojmë që sa më gjatë të jetë kështu. Çfarë do të na sjellë periudha e ardhshme, në nivel global atë nuk e dimë, por këtu shifrat realisht po bien dhe ky është realiteti.”,- theksoi për TVM2 drejtoresha në Spitalin e Kumanovës, Snezhana Zaharieva.
Në rajonin e Kumanovës numri i të infektuarve ka rënë në mënyrë drastike dhe për momentin gjithsej janë edhe 76 raste aktive me virusi Korona.
Mirëpo gjithsesi edhe më tej mbeten rekomandimet për ndërmarrjen e masave për mbrojtje nga virusi Korona.
FATLUM AQIFI
