Botë
Aeroplani i “AirAsia” është rrëzuar në det
30.12.2014 14:45
Ashtu siç u dyshua dje, aeroplani i Kompanisë “AirAsia”, i cili është zhdukur të dielën, ka përfunduar në detin Java...

Më shumë se 40 trupa të pajetë të njerëzve janë gjetur sot në detin Java, që mendohet të jenë trupat e pasagjerëve të aeroplanit të Kompanisë “AirAsia”.
“Bazuar në radion e marinës, është raportuar se një anije luftarake ka arritur të gjejë trupat e 40 personave në det dhe ky numër është duke u rritur në vazhdimësi”- ka thënë zëdhënësi i marinës indoneziane.
Zyrtarët indonezianë thonë se disa orë para se të gjejnë trupat kanë vërejtur objekte lundruese në detin Java, të cilat mund të jenë mbeturinat e avionit të pasagjerëve të “AirAsia”, i cili është zhdukur më 28 dhjetor.
Televizioni indonezian i ka paraqitur dy objekte relativisht të mëdha në sipërfaqe. Zyrtarët thonë se objektet i ngjajnë derës së aeroplanit dhe gjësendeve të tjera.
Forcat ajrore indoneziane, përmes një konference për shtyp, kanë thënë se objektet janë vërejtur rreth 10 kilometra nga vendi ku aeroplani kishte humbur kontaktet me radarët.
Avioni “Airbus” ishte duke udhëtuar nga qyteti indonezian Surabaja për në Singapor. Në bordin e tij gjendeshin 137 të rritur, 17 fëmijë dhe një foshnje, së bashku me dy pilotët dhe pesë anëtarët e ekuipazhit.
Shkaqet e tragjedisë janë në hetim e sipër, por dyshohet se deri te tragjedia ka ardhur si pasojë e motit të keq dhe mosdhënies së autorizimit për pilotin që të ndryshonte kursin dhe të shmangte stuhinë.
GYLTENE SINANI
