Maqedoni

Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi: Ëmbla e vogël ishte diskriminuar

15.03.2022 17:14

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga diskriminimi ka konstatuar se Ëmbla e vogël me sindromën Down...

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga diskriminimi ka konstatuar se Ëmbla e vogël me sindromën Down është diskriminuar. Kryetari i komisionit, Kire Vasilev, thotë se rekomandimet tanimë janë dorëzuar te shkolla dhe pushteti lokal dhe nëse ato nuk zbatohen, mund të iniciohet procedurë gjyqësore.
 
“Kemi vërtetuar diskriminim, janë dorëzuar rekomandimet. Mendoj se janë publikuar në ueb faqen tonë, ku dhe do të publikojmë edhe një numër të madh mendimesh do t’i shihni edhe rekomandimet. Atë që duhet të bëjmë tani është të shohim nëse ato rekomandime do të zbatohen. Nëse nuk implementohen, do të duhet të iniciojmë procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente.”,- tha kryetari i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Kire Vasilev.
 
Rasti i vogëlushes 11 vjeçare, Ëmbla Ademi, me sindrom Down bëri bujë pasi që prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore “Bashkimi” në Gostivar bojkotuan mësimin pasi nuk donin që, Ëmbla, të mësojë me fëmijët e tyre, me pretekstin se vajza është agresive.
 
Nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi njëherit njoftojnë se kanë pranuar 220 ankesa, 170 prej të cilave kanë marrë zgjidhje. Qytetarët më së shumti ankoheshin për diskriminim në vendin e punës, veçanërisht në arsim dhe përkatësi politike. Shumica e ankesave ishin të bazuara në përkatësinë etnike.                                           
 
“Në krahasim me vitet e kaluara numri i ankesave është rritur për 3 herë më shumë. Në vitin 2021 kemi punuar me 167 ankesa duke e krahasuar me vitet e kaluara ku kemi punuar vetëm me 60 ankesa.”,- theksoi zëvendëskryetari i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Ismail Kamberi.
 
Nga Komisionit për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit, thonë se numri i ankesave është rritur gjatë muajve të fundit dhe kjo tregon se është rikthyer besimi i qytetarëve në punën e Komisionit.
 
REJHANE BUSHI METAJ