Maqedoni
Fëmijët me nevoja të veçanta, përjashtimi shoqëror, luftë që vështirë fitohet
15.03.2022 18:11
Fëmijëria është një periudhë kur fëmija mëson, formohet me kujdes për t'u bërë një qytetar i përgjegjshëm...

Fëmijëria është një periudhë kur fëmija mëson, formohet me kujdes për t'u bërë një qytetar i përgjegjshëm, një anëtar i denjë i shoqërisë. Kjo vlen për çdo fëmijë, por a vlen edhe për fëmijët me nevoja të veçanta? Por, sa shoqëria jonë është e denjë për këta fëmijë? Shpend Salija është baba i një fëmije me nevoja të veçanta. Ai thotë se çdo ditë përballet me përjashtimin social dhe diskriminimin, të cilat e vështirësojnë jetën e kësaj kategorie të fëmijëve.
“Arsimi parashkollor nuk ofron kushte dhe mundësitë e nevojshme për pranim dhe zhvillim të këtyre fëmijëve. Si mund të flasim për përfshirjen e tyre në çerdhe kur kushtet infrastrukturore, klasat, por edhe pajisjet e kopshteve janë shumë të papërshtatshme, mos të harrojmë që flasim për fëmijë me nevoja të veçanta dhe është vështirë të mbahen 8 orë në kopshte. Mandej, shumë prindër nuk janë të informuar sa duhet që ta dallojnë dhe të reagojnë në mënyrë përkatëse mbi aftësinë e kufizuar të fëmijës së vet, shpesh bëhemi vetë diskriminues por ekziston edhe frikë nga refuzimi kolektiv i fëmijëve. Deri sa nuk flasim hapur për këto probleme, gjithmonë institucionet do të na diskriminojnë.”,- deklaroi prindi, Shpend Salija.
Fatjona Geci drejton shoqatën “Fly for Life”. Ajo thotë se Ligji për Arsimin Inkluziv duhet të jetë në shërbim të fëmijëve me nevoja të veçanta, por për shkak të mangësive dhe burokracive të shumta që ka, hap polemika dhe sjell probleme.
“Procedurat administrative shpesh janë aq të mbingarkuara, saqë prindërit shpesh i lënë këto procedura të papërfunduara. Një fëmijë me sindromën Down nuk ka nevojë të diagnostikohet me Sindromën Down çdo vit. Ai do të jetë me Down gjithë jetën e tij. Nuk ka shumë nevojë për procedura. Këta prindër janë të stërmbushur, të lodhur, kanë më shumë stres dhe vështirësi se prindërit e tjerë, ndaj mendoj se është lehtësimi administrativ dhe për këtë arsye kemi nevojë për mbështetje ligjore më të mirë dhe më të madhe për të plotësuar nevojat e prindërve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara.”,- tha Drejtoresha e Shoqatës "Fluturoj për Jetën"nga Fatjona Geci.
Defektologët thonë se është e pamundur të punohet me më shumë se dy fëmijë në të njëjtën kohë, por ka përjashtime nëse të dy fëmijët kanë një diagnozë të lehtë.
“E mira e të mirës është që të ketë defektolog, por nuk përjashtohet mundësia edhe për të qenë një punonjës social apo një psikolog apo edhe një sociolog. Por, padyshim duhet të jenë të trajnuar se si duhet të punojnë me këta fëmijë dhe si mund të menaxhohen varësisht sjelljeve që mund të kenë këta fëmijë.”,- u shpreh defektologia, Elda Geci.
Sociologët vlerësojnë se situata është edhe më e vështirë për fëmijët me nevoja të veçanta për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes stafit arsimor, por edhe mungesës së theksuar të burimeve njerëzore dhe materialeve të specializuara për të punuar me ta.
“Presioni që duhet t’u bëhet organeve kompetente, sidomos institucioneve arsimore, pastaj sensibilizimi, ngritja e vetëdijes qytetare, sidomos mbështetja e prindërve të këtyre fëmijëve, sepse shpesh ato nuk duan mësues ndihmës nga frika e diskriminimit, bullizimit, neglizhencës që u ndodh këtyre fëmijëve qoftë në institucionet shkollore qoftë jashtë asaj.”,- u shpreh sociologia, Hatixhe Qazimi.
Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë të njëjtat të drejta dhe nevoja si të gjithë fëmijët e tjerë. Ata kanë jo vetëm të drejtën e mbrojtjes dhe ndihmës, por edhe të pjesëmarrjes së plotë në shoqëri dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse të gjithë e luftojmë këtë betejë.
SANIJE DURAKU
