Moti në tre rajone të vendit në “fazën e verdhë”
Temperaturat e ulëta që kanë kapluar vendin, kanë bërë që tre rajone të arrijnë “fazën e verdhë” ose ndryshe e quajtur “faza paralajmëruese”.....
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se temperaturat që do të lëvizin në intervalin -10 deri në -17 gradë celsius, do të përfshijnë rajonet Ohër-Prespë, Pollog-Poreçe dhe Osogovë-Maleshevë.
Sipas paralajmërimeve të Drejtorisë së Punëve Hidrometeorologjike, temperatura të ulëta priten veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të paradites. Ky i ftohtë i acartë në këto rajone pritet të vazhdojë deri në fund të javës.
Ministria e Shëndetësisë apelon te qytetarët, e veçanërisht te ata të Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Ohrit dhe Strugës të respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen nga temperaturat e ulëta.
Disa nga rekomandimet janë: rrobat e trasha, mbathjet adekuate për borë dhe ngricë, konsumimi i rregullt i pijeve të ngrohta, shmangia e qëndrimit të gjatë në ambiente të hapura e posaçërisht kujdes nga ana e kategorive të rrezikuara të popullsisë, siç janë më të moshuarit dhe personat e sëmurë kronik, të cilët krahas respektimit të rekomandimeve të përgjithshme, duhet edhe rregullisht ta marrin terapinë e caktuar dhe shmangia e sipërfaqeve me ngricë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
