Ukraina nën alarmin e sirenave të luftës, bombardohen dy pallate në Kiev, 2 të plagosur
Ukraina është zgjuar sërish....

Ukraina është zgjuar sërish sot në ditën e 21 të sulmit rus nën bombardimet ajrore.
Autoritetet e Kievit njoftuan se një ndërtesëbanimi 12-katëshe u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit. Ndërkohë që edhe një ndërtesë nëntëkatëshe afër saj u dëmtua nga shpërthimi.
Nga këto shpërthime janë lënduar dy persona dhe 35 të tjerë janë evakuar nga ndërtesa, ndërkohë që zjarri u shua në mëngjes dhe ekipet e shpëtimit tani po kërkojnë për të mbijetuar.
Banorët në të gjithë qytetin mbeten të izoluar në bunkerë, në strehimore nën tokë dhe në shtëpitë e tyre, pas shtetrrethimit të nisur që dy ditë.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se shpërthime janë dëgjuar edhe në Odesa dhe Zaporizhja.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka progres në bisedimet e paqes, pas rundit të negociatave të së martës.
Gjatë një video-fjalimi, Zelensky tha se “pozicionet në negociata tashmë duken më realiste”, por shtoi se “duhet ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”. Bisedimet midis negociatorëve rusë dhe ukrainas do të vazhdojnë. Presidenti Zelensky pritet t’i drejtohet Kongresit Amerikan.
