ITSHKSH shpall Vitin e Drejtshkrimit
Këshilli i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.....

Këshilli i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me propozim të drejtorit të Institutit, Skender Asani, morri vendim që meqë jemi në në 50-vjetorin e organizimit të Kongresit të Drejtshkrimit, viti 2022 të shpallet “Viti i Drejtshkrimit dhe gjuhës shqipe standard”.
Po ashtu, në frymë të bashkëpunimit tashmë të ngritur ndërmjet ITSHKSH-së, Akademisë së Studimeve Albanologjike Tiranë dhe Institutit Albanologjik Prishtinë, u theksua që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve është bartës i aktiviteteve për shënimin e këtij përvjetori për Maqedoninë e Veriut.
Me këtë rast, duke diskutuar për rëndësinë e këtij përvjetori jo vetëm për gjuhën standarde, por edhe për konsolidimin e kombit shqiptar në Maqedoni, që ka vijuar pas Kongresit të Drejtshkrimit, Këshilli i Institutit vendosi që t’i dekorojë postmortum tre pjesëmarrësit e këtij kongresi nga Maqedonia e Veriut: Remzi Nesimi, Petro Janura dhe Sejfedin Sulejmani. Përveç kësaj, duke i nderuar edhe pjesëmarrësit e tjerë të këtij kongresi, Këshilli vendosi që t’i dekorojë edhe dy nga pjesëmarrësit e gjallë, njëherazi bashkëpunëtorë shkencor të Institutit, prof. Xhevat Lloshi dhe prof. Emil Lafe, që të dy nga Tirana. Motivacioni i këtyre dekoratave do të jetë: Për kontributin e dhënë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe në studimin, afirmimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe standarde
Dekoratat do të ndahen në kuadër të Ditëve të Alfabetit, që çdo vit mbahen më 14-22 nëntor në ITSHKSH-Shkup.
