Kuvend, mbështetje akademisë së re për mësimdhënësit

30.12.2014 16:04

Me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimit, kushteve më të mira për mësimdhënësit dhe vendit të sigurt të punës për mësuesit dhe arsimtarët e rinj, Ministria e Arsimit ka marrë mbështetjen nga deputetët për propozim-ligjin e ri për formimin e akademisë për mësimdhënësit....

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, ka deklaruar se bëhet fjalë për themelimin e një institucioni të ri, i cili do të merret dhe do të kryej trajnimin, dhënien, ripërtëritjen dhe marrjen e licencave për mësimdhënës në shkollat publike dhe private në vend.

Ademi ka shtuar se në momentin e dhënies së provimit përfundimtar, çdo kandidat do të pajiset me licencë për mësimdhënës sipas kritereve të caktuara, si licencë për mësues nëse është pa papërvojë, licencë për mësues mentor dhe për mësues këshilltar, ndërsa pas marrjes së licencës, çdo kandidati i sigurohet vendi i punës në shkollë fillore ose të mesme.

“Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është, veçanërisht për kuadrin aktual, që të shtohen shkathtësitë e tyre për mësimin interaktiv. Vetëm të shtoj që pjesa praktike për trajnimin do të jetë nëpër shkolla të ndryshme në RM-së, ashtu siç thashë, nëpër shkolla nëpër të cilat ka të punësuar mësimdhënës me kualifikimin mentor ose këshilltar dhe trajnimi i tyre do të jetë nëpër shkolla të ndryshme, nëpër vise rurale, nëpër vise urbane, nëpër shkolla me nxënës me aftësi të kufizuara, me qëllim që mësimdhënësit e ardhshëm të mund të përgatiten për sfida të reja, por të mund të përgatiten për të punuar edhe në ambiente të ndryshme. Licenca që do të merret për mësimdhënës, do të jetë me afat pesëvjeçar dhe e njëjta do të mund të ripërtërihet. Dhe në qoftë se e njëjta ripërtërihet tre herë, atëherë ajo do të jetë e përhershme dhe s’ka nevojë për t’u ripërtërirë”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.   

Ademi ka shtuar se për çdo kualifikim të ri për mësimdhënësit sigurohet edhe rritje më e lartë e rrogës në bazë të dy mundësive, licencimit që sigurohen tremijë denarë në muaj dhe në bazë të kualifikimeve të reja që mësimdhënësit do t’i fitojnë.

Deputetja e BDI-së, Nora Aliti, ka deklaruar se do të votojë pro propozim-ligjit për akademi për mësimdhënës, sepse dëshiron që mësuesit të kenë paga më të mira, të kenë më shumë mbështetje dhe të jenë të trajnuar si profesionistë.

“Do të votoj pro sepse unë dua që atyre t’u jepet mundësia për zhvillim të karrierës për të shkuar përpara, do të votoj pro sepse unë dua që ata të fitojnë sigurinë reale financiare. Por, atë që unë pres në shkëmbim të kësaj si deputete, si prind dhe si qytetare e këtij vendi është një masë e përgjegjësisë dhe llogaridhënies nga ana e mësimdhënësve. Pra, duke duartrokitur mësuesit për punën që bëjnë, duhet të marrim masa që do të na sigurojnë suksesin e nxënësve nëpër klasa, prandaj dhe mbështes zhvillimin e standardeve rigoroze dhe vlerësimeve që do të na demonstrojnë performancën e nxënësve”- deklaroi deputetja e BDI-së, Nora Aliti.

Sipas ligjit, organet e akademisë për mësimdhënës do të jenë këshilli drejtues prej nëntë anëtarësh dhe drejtori dhe zëvendësdrejtori me mandat trevjeçar me të drejtë të rizgjedhjes.

Trupi profesional, që do të jetë organi kryesor, do të përbëhet nga nëntë anëtarë, pesë prej të cilëve do të jenë ekspertë të huaj dhe katër ekspertë nga vendi me mandat të ndryshueshëm. Në akademi do të pranohen kandidatë që kanë kryer fakultet pedagogjik ose fakultet të njërës nga lëndët e caktuara dhe do të ketë provim kalues.

Në momentin e dhënies së pranimit në akademinë për mësues, çdo kandidati do t’i sigurohet bursë në lartësinë e  nivelit të një rroge mesatare, deri në momentin e përfundimit të akademisë. Theks i veçantë në akademi i jepet pjesës praktike, me qëllim që mësuesit e ardhshëm të fitojnë shkathtësitë e duhura dhe të jenë të denjë. (Mefail Ismaili, TVM2)