Baush: Pa panik, nuk do të ketë mungesë të produkteve
Masat e miratuara nga ana e qeverisë....

Masat e miratuara nga ana e qeverisë më shumë janë sociale se sa zhvillimore, vlerësuan panelistët në “Argument” në TVM2.
Ekonomisti, Abil Baush, masat i sheh si afatshkurta të cilat nuk do të japin ndonjë efekt të madh në zbutjen e krizës.
Megjithatë, ai thotë se qytetarët nuk duhet të krijojnë panik, pasi edhe në skenare më të zeza nuk do të ketë rritje edhe më drastike apo mungesë të produkteve bazë për jetesë.
“Në vende ku qytetari nuk iu beson institucioneve të veta krijon panik. Nëse e analizojmë një skenarë nga më të këqijat dhe ne kemi një luftë këtu, mos mendoni se grumbullimi i miellit dhe vajit nëpër shtëpitë tona do të na shpëtojnë nga kjo gjë. Bizneset kanë rezerva të mjaftueshme, grumbullojnë sa për një vit, sepse ato punojnë non stop, janë në operativë.”,- tha eksperti ekonomik, Abil Baush.
Situata me rritjen e çmimeve ka rënduar jo vetëm xhepin e qytetarëve por edhe të sektorit të biznesit.
Rritja e çmimit të naftës dhe energjisë, Abdullahi: Shpenzime që stërngarkojnë bizneset
Nënkryetari i OEMVP-së, Ejup Abdullahi, thekson se bizneset janë të stërngarkuara me shpenzimet si pasojë e rritjen së çmimeve të derivateve të naftës, kurse duhet të paguajnë dyfish më shumë për energji elektrike se sa kanë paguar më parë.
“Kontratat për energji elektrike kanë qenë në 3.5 denarë në dhjetor të 2021, e kur u nxorën ata në treg, sot e kemi në 21.5 denarë për kilovat. Pastaj kostoja për rrjetëzimin e tregut. Më herët ishte çmimi prej 2.05 denarë për kilovat dhe ajo u rrit në 2.8 denarë për kilovat. Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë duhet të marrë hapa dhe të konsultohet edhe me ne si biznes por edhe me ne si OEMVP që të zbuten këto çmime të energjisë së lartë.”,- tha nënkryetari i OEMVP-së, Ejup Abdullahi.
Panelistët gjithashtu vlerësuan se në krahasim me shtetet e rajonit, vendi ynë e ka menaxhuar më mirë çështjen e rritjes së çmimit të derivateve të naftës e duke parë se çmimi i naftës nëpër bursat botërore po bie, nuk pritet që të kemi më rritje të çmimit të derivateve. (Ersan Pajaziti, TVM2)
