Maqedoni
Kovaçevski: Dënime për ata që spekulojnë me çmimet
16.03.2022 14:38
Kryeministri Kovaçevski paralajmëron dënime për të gjitha kompanitë që spekulojnë me çmimin e derivateve të naftës....

Kryeministri Kovaçevski paralajmëron dënime për të gjitha kompanitë që spekulojnë me çmimin e derivateve të naftës. Ai thotë se çmimi përcaktohet në bazë ditore nga Komisioni Rregullator për Energjetikë e duhet respektuar.
“Disa nga kompanitë që operojnë në tregun e naftës dhe derivateve të naftës, kanë shfaqur sjellje spekulative. Është sanksionuar menjëherë nga shërbimet përkatëse të inspektimit dhe disa që deri në fund të ditës kur pritej rritja e naftës, jepnin karburant gjatë gjithë kohës, kanë pësuar edhe humbje. Metodologjia është e tillë që nuk mund të manipulohet dhe të gjitha çmimet që përcaktohen rregullohen sipas asaj metodologjie.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Masat anti-krizë, Kovaçevski: Dënime për institucionet që nuk i respektojnë
Kovaçevski paralajmëron dënime edhe për të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë që nuk i respektojnë ndalesat për blerje të mobiljeve, automjeteve dhe çdo gjëje tjetër jo të domosdoshme në këtë kohë krize.
“Të gjithë ata të cilët nuk do ta respektojnë vendimin do të sanksionohen në përputhje në përputhje me ligjet për shoqëritë tregtare dhe marrëdhëniet e punës.”,- theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE: Qeveria sjell ndalesën pasi mobiljet u blenë
Kovaçevski është vonuar me masat për furnizimin e mobiljeve ironizojnë nga VMRO-DPMNE. Thonë se tanimë disa institucione janë furnizuar me mobilje prej mijëra eurosh.
“Vetëm për mobilje, gjatë muajve të kaluar qeveria ka shpenzuar rreth 300 mijë euro, të cilat normalisht se kanë mundur të shfrytëzohen për shumë gjëra tjera për të ndihmuar qytetarët. E nënçmojnë inteligjencën e qytetarëve. Sjellin masa kundër furnizimit me mobilje ndërsa realisht janë pajisur me mobilje. Reagim i vonuar klasik kur qeveria në fytyrë përqesh qytetarët.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Me masat anti-krizë të gjithë shfrytëzuesit buxhetor duhet të ulin shpenzimet për mallra dhe shërbime për 10% dhe të dorëzojnë propozimin e duhur për racionalizimin e shpenzimeve në Ministrinë e Financave më së voni deri më 21 mars.
LEUNORA KALIQI
