Maqedoni

Marrja e datës për bisedime, Osmani: Jo me çdo kusht, nuk shkelim mbi parime

16.03.2022 15:03

Nuk do të shkelen mbi parimet shtetërore të vendosura në raport me çështjet e hapura me fqinjit lindor...

Nuk do të shkelen mbi parimet shtetërore të vendosura në raport me çështjet e hapura me fqinjit lindor, vetëm e vetëm që të merret më herët datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, thotë ministri i jashtëm Bujar Osmani.  Bisedimet me Sofje do të zhvillohen duke respektuar tërësisht rezolutën e miratuar në kuvend, potencon ai.
 
“Nëse dikush mendon se është dashur të shkelim mbi vijat e kuqe që dikush të jetë i kënaqur me datën, ky nuk është qëndrim i yni. Dikush tjetër mund ta bëjë këtë, por ne do të mbahemi pas pozicioneve tona në kuvend dhe më të rëndësishme i kemi parimet se sa një ditë më herët apo më vonë.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Bisedimet me Bullgarinë, Osmani: Po hyjmë në fazë të re
 
Osmani sërish thekson se procesin eurointegrues të vendit nuk e stagnojnë institucionet e BE-së por fqinji lindor. Thotë se bisedimet me Sofjen po   zhvillohen në nivel të kënaqur dhe pritet  grupet e punës të krijojnë ambient edhe më të mirë  për zgjidhjen e çështjeve politike.
 
“Ne kemi marrë obligim nga 26 shtete anëtare dhe kemi një çështje të hapur me Republikën e Bullgarisë me të cilën po mundohemi ta tejkalojmë… Ka dinamikë të mirë mes grupeve të punës mes dy shteteve. Pjesëmarrësit janë konstruktiv dhe vazhdimisht dalin me rezultate dhe projekte të reja. Kjo është shumë me rëndësi  që të krijohet një kornizë e besimit,  ku me pas do të adresohen  edhe çështjet politike.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Bisedimet e reja me Bullgarinë vazhdojë  javën e ardhshme me ardhjen e shefes së diplomacisë bullgare, Teodora Gençovska, në Shkup më 23 dhe 24 mars, paralajmëron  ministri Osmani.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU