Botë

OKB: Zgjatja e luftës do të sjellë varfëri të skajshme

16.03.2022 15:43

Nëse pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë gjatë, 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh...

Nëse pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë gjatë, 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh të këtij vendi rrezikojnë të përballet me varfërinë e skajshme, ndërsa mbi 60 për qind do të varfërohet brenda një viti, këtë tregojnë përllogaritjet e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.
 
Projeksioni i këtij organizmi, i publikuar së fundi, bazohet në vlerësimet e qeverisë ukrainase se lufta deri më tani ka shkaktuar një humbje prej të paktën 100 miliardë dollarësh të infrastrukturës kryesore, si rrugët, urat dhe spitalet, dhe ka shkaktuar mbylljen e të paktën gjysmës së bizneseve, ndërsa gjysma tjetër nuk funksionon me kapacitet të plotë. 
 
Bombardimet vazhdojnë, spitali Covid në Kharkiv ende plot pacientë
 
Ndërkohë, Spitali Rajonal i Sëmundjeve Klinike Infektive në Kharkiv, objekti kryesor i qytetit për trajtimin e pacientëve me virus gjatë gjithë pandemisë, po vazhdon të përballet me Covid-19. Drejtori i tij, Pavel Nartov, tha se sirenat e sulmit ajror bien disa herë në ditë, duke i detyruar pacientët të strehohen në një vend të improvizuar për t’u mbrojtur nga bombat.
 
Rastet zyrtare ditore të Ukrainës me COVID-19 arritën nivele rekord në shkurt, por ranë që kur Rusia filloi pushtimin. Duket se duke iu larguar luftës, njerëzit kanë harruar shqetësimet e virusit Korona dhe ka rënë ndjeshëm edhe numri i testimeve ditore teksa çdokush tani shqetësimin e vetëm të tij e ka të mbijetojë.
 
REJHANE BUSHI METAJ