Pastrimi i lindanit në “Ohis”, autoritetet: Zgjidhim problemin 40-vjeçar

16.03.2022 16:35

Javën e ardhshme fillon pastrimi i rreth 700 ton lindan mbeturina....

Javën e ardhshme fillon pastrimi i rreth 700 ton lindan mbeturina toksike të shpërndarë në disa mijëra hektarë tokë në oborrin e fabrikës “Ohis” në Shkup. Autoritetet e vendit thonë se pastrimi i lindanit do ta bëjnë inxhinierë të jashtëm të cilët veç më kishin bërë përgatitjet e fundit për këtë proces.

“Tash fillojmë me pastrimin e deponisë me lindan, ky është një problem për mbi 40 vjet i shtetit tonë, ndërsa ky është fillimi i procesit dhe normalisht se ka pasur disa probleme me fillimin e pastrimit, mirëpo për ne me rëndësi ka qenë siguria e qytetarëve për rreth kësaj zone.”,- tha ministri i ekologjisë, Naser Nuredini.

“Pastrimi  do të realizohet me pajisje më të sofistikuara nga jashtë. Parashikohet që lindani i gërmuar të vendoset në kontejnerë  speciale dhe më pas i njëjti të dërgohet në Francë dhe Holandë, ku ka stacione të veçanta për përpunimin dhe përdorimin e mëtejshëm të lindanit në këto vende.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Pastrimi i lindanit në “Ohis” të Shkupit do të kushtojë rreth 9 milion euro, një pjesë prej të cilave vendi i siguroi në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare të BE-së.

“BE këtë projekt e mbështet me 2.5 milion euro, ndërsa përveç kësaj BE po ashtu mbështet financiarisht edhe projektet të cilat kanë të bëjnë me menaxhimin e  mbeturinave të forta, stacioneve filtruese për ujërat e zeza dhe për uljen e ndotjes së ajrit në disa pjesë të tjera të vendit”,- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir.

Pastrimi i lindanit në oborrin e “Ohisit” paraprakisht ishte planifikuar të përfundojë për një vit, por ky afat është shtyrë për më shumë. (Rexhep Qamili, TVM2)