Botë

Shqipja në uniformat e policisë, Kovaçevski: Periudha 1-vjeçare për efekt tenderimi

16.03.2022 16:46

Pasi Qeveria miratoi Dekretin që uniformat dhe simbolet e uniformës së policisë të jenë edhe në shqip...

Pasi Qeveria miratoi Dekretin që uniformat dhe simbolet e uniformës së policisë të jenë edhe në shqip, kryeministri Kovaçevski ka arsyetuar afatin kohor njëvjeçar për zbatimin e të njëjtit. Ai thotë se vendimi rrjedh nga Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe hapësira kohore është lënë vetëm për shkak të procesit të tenderimit. 
 
“Është caktuar një periudhë deri në një vit, sepse për uniformat dhe pajisjet e tjera që kanë shenja, nevojitet një proces tenderimi dhe prodhimi të atyre pajisjeve. Prandaj është caktuar kjo periudhë.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Sela: Shpresoj të mos ketë fatin e Ligjit për gjuhët
 
Lideri i ASh-së, Ziadin Sela, shpreson që ky dekret mos të ketë fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhës dhe akuzoi se BDI-në se shfrytëzon shqipen për të bërë marketing. 
 
“Çdo herë sillet dekreti, animohet opinioni vetëm për një çështje të ligjit ndërkohë që ngelen pa u implementuar… p.sh. ku është implementimi i gjuhës shqipe në gjykatë, prokurori dhe gjithë këto elemente që as nuk diskutohen. Bëhet fjalë për PIAR marketing të ulët të një subjekt në qeveri që këtë temë do të duhej ta kishte konsumuar prej kur u bë pjesë e qeverisë në vitin 2002 dhe sot e kësaj dite mundohet të merret me këto tema.”,- theksoi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
“E Majta”: Dekreti shkel kushtetutën, do ta kontestojmë
 
“E majta” paralajmëron se do ta kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e qeverisë. Sipas partisë së Apasievit, dekreti është në kundërshtim me amendamentin V të Kushtetutës, sipas të cilit gjuhë zyrtare e gjithë territorit është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj.
 
Apasiev madje pas sjelljes së dekretit, jo vetëm që përdori tone ofenduese ndaj qeverisë, e cila, sipas tij, nuk respekton as ligje e as kushtetutë, por i kërcënoi se shumë shpejt do përfundojnë pas hekurave.  
 
SANIJE DURAKU