Maqedoni
Ndihma për Ukrainën, refugjatët kanë nevojë imediate për bukë e ujë
16.03.2022 17:05
Vendi ynë zgjat dorën e ndihmës për Ukrainën, e cila më tepër se tre javë është cak i bombardimeve ruse...

Vendi ynë zgjat dorën e ndihmës për Ukrainën, e cila më tepër se tre javë është cak i bombardimeve ruse. Nga Kryqi i Kuq informuan se prioritet janë produktet ushqimore, uji dhe materialet higjienike.
“Më të nevojshme për momentin janë ushqimi, higjiena, uji, si dhe gjera të tjera, që janë të lidhur me ndihmën e domosdoshme në aspektin e sanimit të pasojave që vijnë si rezultat i luftës. Pra, bëhet fjalë për materiale sanitare për pajisje të ndihmës së parë, etj. Por, më besoni tani atje gjithçka është e nevojshme.”,- tha kryetari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
Në këtë aksion janë kyçur edhe 4 oda ekonomike.
“Bashkë me Ministrinë, Kryqin e Kuq dhe ambasadorin e Ukrainës, bëmë një listë të produkteve me prioritet, të cilat janë të domosdoshme për t’u siguruar ndihmë qytetarëve të Ukrainës.”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Tani do të mundohemi që edhe në mënyrë adekuate së bashku me anëtarët tanë të ndihmojmë në vuajtjet e popullit ukrainas, sipas mundësive tona. Thjesht t’ju ndihmojmë në këtë situatë.”,- theksoi kryetari i OEM-së, Trajan Angellovski.
“Ne nuk mund ta ndalim luftën por patjetër duhet ta mbështesim procesin e paqes dhe ta gjykojmë këtë që po ndodh tani.”,- u shpreh Aneta Pesheva.
Deri më tani në Maqedoni të Veriut kanë ardhur 51 shtetas të Ukrainës. Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, theksoi se vendi nuk do të refuzojë asnjë refugjat dhe institucionet po bëhen gati.
“Në propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, disa institucione kanë ofruar kapacitetet e tyre, para së gjithash Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, disa pushimore të cilat do të vihen në funksion të pranimit të refugjatëve, qendrat transitore të refugjatëve gjithashtu do të jenë të adoptuara.”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Ambasadorja e Ukrainës u shpreh falënderuese, por shpreson që të arrijnë atje, pasi Rusia po bën çmos që të bllokojë depërtimin e ndihmave humanitare për Ukrainën.
“Nuk na japin korridore, ne duam të dërgojmë ndihma humanitare për personat që atje po vdesin. Rusët po bllokojnë. Ndihmat tona humanitare sot ishin garantuar, ishte garantuar qyteti jugor Mykolaiv, është garantuar qyteti në qendër të Ukrainës, Vinjice, çdo dite, çdo moment nuk po ndalen granatimet.”,- theksoi ambasadorja e Ukrainës në RMV, Natalija Zadorozhnjuk.
Qytetarët do të japin ndihma përmes thirrjeve telefonike apo përmes donacioneve drejtpërdrejt në llogari të Kryqit të Kuq. Deri më tani janë mbledhur mbi 2.7 milion denarë.
BELINDA KOKA ADEMI
