Botë

Ende asnjë shenjë paqeje në Ukrainë, rusët vazhdojnë bombardimet në shumë qytete

16.03.2022 17:14

Qytetet ukrainase u zgjuant nën zhurmën e bombardimeve ende pa u ndezur sirena e alarmit...

Qytetet ukrainase u zgjuan nën zhurmën e bombardimeve ende pa u ndezur sirena e alarmit. Në Chernihiv të paktën 10 persona humbën jetën pasi një raketë goditi një grup njerëzish që prisnin radhë për të blerë bukë.
 
Në Kharkiv, 2 persona mbetën të vrarë si rezultat i një sulmi artilerie në ndërtesat shumëkatëshe në lagjen Nemyshlyansky. Ekipet e shpëtimit punuan për të shuar zjarrin, duke shpëtuar katër persona nga shembja e një ndërtese, por nuk ishin në gjendje të shpëtonin dy të tjerë që u vranë në sulm.
 
Dy persona po ashtu janë plagosur pasi një ndërtesë banimi 12-katëshe është goditur në Kiev, qyteti i cili është në shtetrrethim prej 36 orëve. Bombardime pati edhe Mariupol, Odesa dhe Lviv. Pavarësisht luftimeve në terren,bisedimet mes  Rusisë dhe Ukrainës janë zhvilluar por  pa asnjë rezultat. Të dyja vendet konsiderojnë se kompromisi është i vështirë, por jo i pamundur.
 
“Duhet ende përpjekje, nevojitet durim. Çdo luftë përfundon me një marrëveshje. Takimet do të vazhdojnë, por na duhet më shumë kohë për vendimet që janë në interes të Ukrainës. NATO-ja nuk anëtarëson vende që janë me konflikte të pazgjidhura.”,- theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
 
“Unë udhëhiqem nga vlerësimet që japin negociatorët tanë. Ata thonë se negociatat nuk janë të lehta për arsye të qarta, por megjithatë ka njëfarë shprese për të gjetur një kompromis.",- tha ministri i punëve të jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov.
 
Stoltenberg: Nuk ndërhyjmë dot, situata mund të keqësohet
 
Pavarësisht deklaratave pozitive, Zelenski refuzon ofertën ruse për neutralitet “të modelit austriak’. Ai ka përsëritur vazhdimisht se NATO-ja nuk do t’i ofrojë anëtarësi Ukrainës por shton se ka nevojë për garanci të forta sigurie nga Perëndimi dhe Rusia. NATO-ja vazhdon ta ndihmojë Ukrainën por jo deri aty ku situate mund të përshkallëzohet.
 
“Që nga fillimi i pushtimit rus, aleatët kanë rritur ndjeshëm mbështetjen për popullin trim ukrainas, qeverinë dhe forcat e armatosura me pajisje ushtarake, ndihmë humanitare dhe financiare dhe kanë strehuar miliona refugjatë, por nuk mund të ndërhyjmë ne sepse situata mund të përshkallëzohet.”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Ukrainasit protestojnë në Bruksel: Bëni më shumë, rusët po marrin jetë civilësh
 
Në kohën që ministrat e mbrojtjes së aleancës po diskutojnë,  protestuesit ukrainas u mblodhën jashtë selisë së NATO-s në Bruksel, duke mbajtur flamuj ukrainas dhe pankarta për t’i kërkuar NATO-s të bëjë më shumë për të ndihmuar vendin e tyre.
 
“Kërkojmë nga NATO-ja që ta mbyllë qiellin e Ukrainës sepse forcat ruse bombardojnë spitale, shkolla, ndërtesa banimi duke marrë jetën e civilëve. Ata duhet të bëjnë më shumë.”,- u shpreh një protestuese.
 
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut vlerëson se të paktën 691 civilë janë vrarë deri më tani, ndërsa 1.143 të tjerë janë plagosur në të gjithë Ukrainën. Në tre javë luftë, forcat ruse kanë vrarë 103 fëmijë. Deri tani mbi 3 milion ukrainas kanë lëshuar vendin për shkak të luftës.
 
FARIJE DUATI BAKIJU