Përfundoi gjysmëvjetori i parë

30.12.2014 17:02

Për 280 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, sot përfundoi gjysmëvjetori i parë dhe filloi pushimi dimëror....

Ekipi i TVM2 vizitoi Shkollën Fillore “Adem Jashari”, ku mbretëronte atmosferë festive e shoqëruar me këngë dhe valle. Stafi mësimdhënës dhe nxënësit, me shpresë se do të tejkalohen të gjitha vështirësitë me të cilat janë përballur, presin që vitin e ardhshëm të kenë më shumë elan për punë.

“Gjysmëvjetorin e kaluam shumë mirë, sipas plan-programit dhe në fund të këtij gjysëmvjetori të suksesshëm kemi program zbavitës”- deklaroi drejtori i ShF “Adem Jashari”, Halil Palloshi.

Programi i Kembrixhit këtë vit ka qenë një ndër reformat më të vështira për t’u zbatuar në praktikë, thonë mësimdhënësit.

“Programi i Kembrixhit të fillojë gradualisht që nga çerdhet, pastaj klasa e parë, të jetë e përgatitur për këtë program dhe pastaj me klasat tjera”- u shpreh pedagogia, Zemriet Bela.

“Na erdhën fëmijët të papërgatitur që të fillojnë me këtë program dhe kishim vështirësi dhe probleme"- theksoi mësuesja, Fatmire Izairi.

Ndërkohë që nxënësit u gëzoheshin më shumë festave të fundvitit, me shpresë se me përkushtim më të madh do të startojnë gjysmëvjetorin tjetër.

“Suksesin e kam të mirë, por vitin tjetër do ta kem edhe më të mirë”- tha një nxënës.

“Kemi bashkëpunuar me shokë, arsimtarë dhe pushimi dimëror do të na relaksojë më shumë”- u shpreh një nxënës.

Gjysmëvjetori i dytë do të fillojë më 20 janar, ndërkohë që testimi ekstern do të fillojë të zbatohet me maturantët. (Flutura Latifi, TVM2)