Thaçi: Do të përkeqësohet situata në Maqedoni
Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, parasheh përkeqësim të situatës në Maqedoni gjatë vitit 2015....

Sipas tij, përkeqësimi do të jetë në planin ekonomik, në marrëdhëniet ndëretnike, por do të ketë edhe thellim të bllokadës në procesin eurointegrues. Përkeqësimin e mëtejshëm të raporteve ndëretnike, Thaçi e sheh në aspektin e të drejtave politike dhe njerëzore të shqiptarëve. Në fjalimin e fundvitit, të mbajtur për herë të parë në Shkup, Thaçi u uroi shqiptarëve veç shëndet.
“Shumë shëndet shqiptarëve! Të dytën nuk mund ta them se do të kenë sukses. Dua të flas me korrektësi dhe me seriozitet. Vitin e ardhshëm pres përkeqësim të situatës në Maqedoni, sidomos për shqiptarët. Thellim të mëtejshëm të krizës ekonomike për shqiptarët, për shkak se qeveritarët shqiptarë nuk mbërrijnë të mbrojnë veten, e lëre më të mbrojnë ekonominë e shqiptarëve apo të bëjnë investime për shqiptarët”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Zgjidhjen e kësaj situate të pashpresë, Thaçi e sheh tek Bashkësia Ndërkombëtare, tek e cila gjithashtu sheh mungesë interesi për të ndërhyrë.
“Normalisht, në të gjithë këtë situatë të pashpresë ekziston një shpresë e vogël se situata mund të përmirësohet dhe kjo shpresë e vogël e ka emrin Bashkësia Ndërkombëtare, ShBA dhe UE. Edhe pse nuk vërej asnjë shenjë se ata do të ndërhyjnë në Maqedoni për ta përmirësuar situatën”- u shpreh Thaçi.
Sa u takon zhvillimeve brendapartiake, sipas Thaçit, viti 2014 ka qenë viti më i vështirë për PDSh-në. Ndërkaq, sa i përket fraksionimit të partive shqiptare dhe paraqitjes së subjekteve të reja, Thaçi tha se ka qëndrim të ndryshëm nga lideri i BDI-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
