30 vjetori i raporteve diplomatike me Slloveninë, Osmani: Jemi miq edhe në sfidat aktuale
17.03.2022 14:09
Në 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Slloveninë, ministri i jashtëm, Bujar Osmani....

Në 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Slloveninë, ministri i jashtëm, Bujar Osmani, thekson nevojën për vazhdimin e miqësisë me shtetin slloven në sfidat e rrumbullakimit të procesit eurointegrues të rajonit. Ai sërish theksoi mundësinë e përhapjes së krizës në Ballkanin Perëndimor për shkak të invazionit rus ndaj Ukrainës.
“Invazioni rus nuk paraqet incident të izoluar diku larg prej kufijve tanë, është afër nesh, është në tokë të Evropës. Diçka që e kemi konsideruar si të largët dhe të pamundshme. Bëhet e qartë çdo ditë e më shumë se rrumbullakimi i Unionit Evropian nuk është vetëm çështje administrative dhe politike, por para së gjithash kontribut thelbësor në stabilitetin rajonal dhe në Evropë.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Llogar: Duhet t’i filloni bisedimet me BE-në sa më shpejt
Para të pranishmëve, përmes video-lidhjes në ceremoni foli edhe ministri i jashtëm slloven Llogar, i cili theksoi nevojën e fillimit të bisedimeve mes BE-së dhe RMV-së, në favor të stabilitetit rajonal.
“Është shumë me rëndësi që të filloni bisedimet me BE-në sa ë shpejt. Sllovenia do të vazhdojë të mbetet përkrahës dhe mik i RMV-së në rrugën e urointegruese të saj.”,- theksoi ministri i jashtëm i Sllovenisë, Anzhe Llogar.
Ambasadori slloven, Milan Predan, mes tjerash tha se përveç raporteve të mira në politikë ekonomi dhe në kulturë, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia kanë treguar bashkëpunim mes vete edhe në raste fatkeqësie. Në manifestimin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Slloveninë, performoi korri “France preshern”, i përbërë nga solist me prejardhje sllovene që jetojnë në shtetin tonë dhe miqtë e tyre maqedonas.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
