Ministrat shqiptarë vizituan Tetovën dhe Zhelinën

30.12.2014 17:51

Ministrat në kabinetin qeveritar nga radhët e BDI-së, kanë zbarkuar sot në qytetin e Tetovës në një takim pune....

Ata për së afërmi janë njoftuar nga kryetarja e kësaj komune, Tetuta Arifi, me sfidat që po përballen autoritetet vendore në zbatimin e programit të tyre.

Palët janë dakorduar se një bashkëpunim i shtuar midis pushtetit qendror dhe atij lokal mund të shpejtojë dinamikën dhe realizimin e projekteve të parashikuara.

“Komuna e Tetovës është një komunë që ka kapacitete të mëdha dhe kjo nënkupton edhe shumë projekte të mëdha që kapin shuma të mëdha financiare. Fokusi do të jetë me prioritet në Komunën e Tetovës, për arsye se këtu janë projektet më të kushtueshme”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.

“Projektet të cilat janë zhvilluar gjatë vitit 2014 me qeverinë, kanë qenë intensive dhe të suksesshme dhe kanë përmbushur dinamikën e paraparë, flas këtu për projektin e ujësjellësit dhe shumë projekte të tjera rrugësh, të cilat ne i kemi konkurruar  në fondet qeveritare dhe kemi arritur t’i marrim dhe t’i realizojmë”- tha kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.

Delegacioni ministror në përbërje të zëvendëskryeministrave, Musa Xhaferit dhe Fatmir Besimit, ministrit të Ekonomisë, Bekim Nezirit, atij të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairit dhe të Pushtetit Lokal, Lirim Shabanit ka vizituar edhe Komunën e Zhelinës, ku u njoftuan me gjendjen në këtë komunë.

“U bisedua për projektet që Komuna e Zhelinës është duke i realizuar dhe njëkohësisht u bisedua edhe për projektet që qeveria është duke i investuar në Komunën e Zhelinës. Ka qenë një takim i frytshëm, ku të dy palët i shpalosën dhe i biseduan projektet e tyre”- theksoi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.

“Temë kyçe e bisedës ishte projekti infrastrukturor, d.m.th. ujësjellësi rajonal nga malet e Sharrit, që duhet të përfshijë katër komuna, Zhelinën, Bogovinën, Vrapçishtin dhe Bërvenicën. Forma dhe mënyra e gjetjes së mjeteve të financimit, formimi i ndërmarrjes publike ndërkomunale apo format e tjera të menaxhimit nëpërmjet trupave administrative”- u shpreh kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.

Takimet e këtij niveli të autoriteteve vendore të Tetovës dhe Zhelinës i kanë cilësuar si shumë domethënëse në tejkalimin e problemeve gjatë realizimit të programit brenda mandatit të tyre. (Naim Ramadani, TVM2)