Botë
Lufta në Ukrainë, bombardohet teatri në Mariupol, ka viktima
17.03.2022 15:00
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës hyri në javën e tij të katërt....

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës hyri në javën e tij të katërt. Në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit, një sulm ajror nga forcat ushtarake ruse shkatërroi një teatër ku ishin strehuar qindra njerëz. Raportohet për dhjetëra viktima, por numri i saktë mbetet i paqartë, pasi hyrja e teatrit është bllokuar nga mbeturinat. Disa imazhe satelitore të kompanisë amerikane të teknologjisë hapësinore “Maxar” tregonin se në dy anë të godinës, para dhe pas saj, ishte shkruar me germa të mëdha në rusisht fjala “fëmijë”, duke nënkuptuar se në godinë strehoheshin fëmijë. Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi të ketë bombarduar ndonjë objektiv në Mariupol.
“Forcat e armatosura ruse nuk bombardojnë qytete dhe të gjithë e dinë mirë këtë. Sado video që ka përpiluar NATO dhe sado fotografi të rreme të qarkullojnë, e vërteta do të dalë përfundimisht në shesh. Ne do të bëjmë çmos që këto krime kundër njerëzimit të mos mbeten pa u ndëshkuar.",- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar ashpër liderët perëndimorë, duke iu adresuar parlamentit gjerman. Ai tha se derisa forcat ruse ishin mbledhur përgjatë kufirit me Ukrainën para pushtimit, liderët perëndimor vepruan me vonesë dhe nuk shkuan aq larg për ta përzënë Rusinë. “Gjithçka që ju interesonte ishte ekonomia”, tha Zelensky. Ai u shpreh mjaft kritik dhe ka dilemë nëse Ukraina do t’i bashkohet aleancës ushtarake NATO–s, duke theksuar se “nuk ka vend në këtë tavolinë për ta”.Sipas tij, ekziston “një mur” në Evropë mes lirisë dhe mungesës së lirisë.
“Gjermania ndihmoi në ndërtimin e një muri rus për të izoluar Ukrainën, këtu do të përmendi tubacionin e ndërtuar në Detin Baltik “Nord Stream 2” dhe refuzimin e Perëndimit që Ukraina të jetë anëtare e NATO-s. I nderuar kancelar Olaf Scholz: "Rrëzoni këtë mur midis paqes dhe luftës, na mbështetni". Ju mund t'i shihni të gjitha këto vuajtje, nëse shikoni përtej murit të krijuar në këtë vend. Ukraina nuk e mbron vetëm vetën por edhe vlerat evropiane, për të cilat flasin shumë politikanë. Por, tani po shihet, këto fjalë janë vetëm boshe.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, tha se lufta në Ukrainë ka shkundur paqen.
“Lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, ka shkundur paqen dhe ka shokuar botën. Ne do të vazhdojmë të mbështesim forcat e Kievit, në mënyrë që të shfrytëzojnë të drejtën për vetëmbrojtje, siç e parasheh Karta e Kombeve të Bashkuara. NATO-ja ka përgjegjësi për të parandaluar këtë luftë nga përshkallëzimi i mëtejmë.”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 3 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga vendi për shkak të luftës. Numri i persona që kanë humbur jetën që nga fillimi i agresionit rus mbetet ende i paqartë, por autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë vdekur me mijëra civilë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
