Maqedoni

LSDM: Rritje rekorde e pensioneve

17.03.2022 15:26

Pushteti dhe opozita janë në grindje për pensionistët....

Pushteti dhe opozita janë në grindje për pensionistët. Derisa nga pushteti thonë se po kujdesen për ta, nga opozita pretendojnë se i ka grabitur qeveria. Kemi siguruar rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të pensioneve, thonë nga LSDM-ja, me ligjin e ri pensionet do të harmonizohen në shumën prej 50% të rritjes së kostos së jetesës dhe 50% të rritjes së pagës mesatare në vend.
 
“Zgjidhja e re ligjore siguron rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të pensioneve. Rritja e pensioneve nuk do të varet më kurrë nga vullneti politik i partive në pushtet.”,- tha deputetja e LSDM-së, Lidija Tasevska.
 
VMRO-DPMNE: LSDM i nënvlerëson pensionistët
 
LSDM sërish i nënvlerëson pensionistët dhe i bind se një mijë denarë mjaftojnë për t'u përballur me pasojat e politikës së tyre katastrofike ekonomike dhe sociale, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
“Këto një mijë denarë janë shpenzuar paraprakisht, sepse në periudhën e kaluar çmimi i qumështit është rritur për 22%, i miellit për 38%, vaji për 46%, rryma për mbi 30% dhe karburantet më një rritje rekorde mbi 70%.”,- u shpreh Angelinka Petkova nga VMRO-DPMNE.
 
Nga shtatori rreth 330 mijë pensionistë do të marrin rritje të pensioneve të cilat mesatarisht do të rriten për 900 denarë. Gjithashtu, në kuadër të masave kundër krizës për muajin prill, maj dhe qershor, çdo pensionist duhet të marrë një mijë denarë shtesë.

SEDAT SELIMI