Maqedoni
Produktet bazë 0% TVSH, qytetarët: Uljet e çmimeve, minimale
17.03.2022 15:54
Të gjitha shitoret të cilat shesin bukë, miell, vezë, oriz, sheqer, mish apo vaj luledielli, tani e tutje do të duhet t’i shesin me 0% TVSH....

Të gjitha shitoret të cilat shesin bukë, miell, vezë, oriz, sheqer, mish apo vaj luledielli, tani e tutje do të duhet t’i shesin me 0% TVSH. Kjo masë do të vlejë deri më 31 maj të këtij viti.
Qytetarët të cilit kishin dalë për të blerë gjërat e nevojshme thanë se kishte dallim në çmimet te disa produkte. Por, një pjesë e madhe e produkteve ende janë me rritje.
“Çmimet ishin me rritje, ashtu siç janë rritur prej në fillim, nga situata në Ukrainë. Ashtu që çmimet edhe sot ishin me rritje.”,- tha një qytetar.
“Megjithëse qeveria ka sjellë vendim për rikthimin e çmimeve në situatën e para krizës, mendoj se çmimet ishin të realta, nuk vërejta që ka diçka parregullsi dhe gjithçka është ok.”,- u shpreh një qytetar.
“Ashtu siç vura re nga ajo që bleva, për shembull vezë, çmimi është për dy – tre denarë më i ulët. Gjithashtu vura re që edhe te sheqeri ka rënie, tek produktet tjera nuk e di.”,- theksoi një qytetare.
Kriza ekonomike, përplasen partitë politike
Ndërkohë partitë politike kanë vazhduar luftën e tyre për atë se kush është fajtor për harxhime në kohë krizash. Përderisa VMRO opozitare akuzon qeverinë se në vend të ndihmojë qytetarët, shpenzon për luks. Nga ana tjetër, LSDM thekson se pikërisht krerët e komunave të cilët i përkasin VMRO-së bëjnë shpenzime jo-produktive.
“Për shembull në vitin 2020 dhe 2021 në vazhdën e krizës me Kovidin dhe atë ekonomike, Qeveria ka shpenzuar mbi 2, 5 milion euro për makina, pjesa më e madhe e tyre luksoze, të mos them gjysma e tyre, gjegjësisht gjysma e atyre automjeteve ishin me çmime mbi 30 mijë euro, diçka që asnjë qytetar mesatar nuk do të mundej t’ia lejojë vetes edhe po të kishte dy jetë.”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
“Mickoski mund të fillojë me Orce Gjorgjievskin dhe ta urdhërojë t’i ridestinojë qindra mijëra eurot për marrëveshjet autoriale në Kisella Vodë. Danella Arsovska t’i ridestinojë 670 mijë eurot e parapara për punësime partiake. Timço Mucunski 38 mijë eurot për blerje të kompjuterëve dhe nëse nuk janë ngrënë akoma çokollatat dhe sheqerkat, Aleksandar Stojkovski t’i kthejë 6000 eurot në buxhetin komunal.”,- tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Për të zbutur krizën qeveria miratoi një pako prej 26 masave, por nga opozita këto masa i shohin si të vonuara.
ERSAN PAJAZITI
