Shkupjanët përgatiten për Vitin e Ri
Gjallëria dhe atmosfera që po mbretëron në kryeqendër, është rezultat i ndërrimit të motmoteve....

Gjithandej vërehet një entuziazëm për parapërgatitjet për Vitin e Ri, thonë qytetarët, të cilët shpresojnë se vitin tjetër do i lënë pas të gjitha hallet dhe brengat e vitit të kaluar dhe me energji pozitive do të hapërojnë në vitin 2015.
Një ditë para ndërrimit të motmoteve, disa qytetarë preferojnë të vizitojnë dhe shikojnë dyqanet e zbukuruara me mallra, ndërsa një pjesë tjetër të blejnë ushqime, veshmbathje dhe sende. Sido qoftë, lëvizja e madhe e qytetarëve sot tregon për atmosferën festive që mbizotëron në Maqedoni.
Të anketuarit e TVM2 në të shumtën e rasteve sot blinin veshmbathje dhe dhurata për natën e Vitit të Ri dhe i caktonin rezervimet për festën.
“Po më shumë dhurata për më të afërmit që ua bëjmë, pastaj ne vajzat më së shumti shpenzojmë për veshmbathje”- u shpreh një qytetare.
“Ka oferta të ndryshme, sidomos nëpër dyqanet shohim ka ulje të disa sendeve, ndonjëherë blejmë, ndonjëherë jo. Varet prej mundësive që i kemi”- tha një qytetar.
“Do të blejmë diçka. Kam dalë me ble këpucë për Vitin e Ri”- theksoi një qytetare.
“Mendoj se është më mirë të pritet Viti I Ri në ambient shtëpiak, në një rrethinë më ndryshe, me shoqëri. Këtë vit pak më shumë jemi vendosur për në shtëpi”- u shpreh një qytetar.
Lokalet në zemrën e kryeqytetit, në Çarshinë e Vjetër, të cilat i vizitoi TVM2, pothuajse të gjitha ishin të mbushura me njerëz. Ofertat e ndryshme të kafeneve vazhdojnë të promovohen edhe më tej. Një pjesë e madhe e lokaleve veç më kanë bërë program të pasur festiv, duke i angazhuar këngëtarët dhe dixhejtë më eminentë shqiptarë.
“Si çdo vjet edhe këtë vit e kemi planifikuar të kemi një program të gjerë për pritjen e Vitit të Ri. Kemi planifikuar të kemi disa mbrëmje para Vitit të Ri, siç është për shembull mbrëmja me Florent Nushin edhe me disa këngëtarë të tjerë shumë eminentë nga estrada shqiptare. Edhe këtë vit do të përfundojmë me Florent Nushin, që vjen nga Amerika, që është mysafir ekskluziv për ne”- deklaroi pronari i lokalit “Gaxha bar”, Emin Gaxha.
“Kemi organizim edhe gjatë ditës dhe natës. Gjatë ditës, prej orës një deri në orës 10 kemi programe me dixhej të ndryshëm, ku do të mundohemi të prekim disa sfera të zhanreve të ndryshme të muzikës, duke filluar prej Hip-hopit, Arenbisë, muzikës Haus, Retros dhe hitet e ndryshme, hitet e pavdekshme. Gjithashtu, gjatë mbrëmjes kemi organizim, ku i ftuari do të jetë shoku ynë nga Prishtina, dixhej Bujaku”- tha menaxheri i kafenesë “Clique”, Ermir Murtezani.
Me rastin e festës së Vitit të Ri 2015, Komuna e Çairit, në bashkëpunim me Qendrën Informative Kulturore ndau mjete financiare për të ndihmuar lokalet e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, të cilat organizojnë mbrëmje festive për ndërrimin e motmoteve. (Rexhep Qamili, TVM2)
