Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve, u rizgjodhën 5 prokurorë për krim dhe korrupsion
17.03.2022 16:42
Këshilli i prokurorëve ka rizgjedhur 5 prokurorët e deritanishëm në prokurorinë për krim të organizuar...

Këshilli i Prokurorëve ka rizgjedhur 5 prokurorët e deritanishëm në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Ivana Trajçeva, Marija Gjorgeva, Valentina Bislimovska, Suzana Mirçevska Kuzmanovska dhe Engjellushe Kadriu Lleshi. Në konkursin në fjalë kishte kandidate edhe nga prokuroritë e tjera. Kryetari i Këshillit tha se nuk ka pasur presion në përzgjedhjen e kandidatëve.
“Secili udhëhiqej prej bindjeve të veta. Në parim u pajtuam se të njëjtit duhet të vazhdojnë t’i mbarojnë ato lëndë që i kanë filluar. Prej kandidatëve 4 janë që e kanë vetëm një mandat, që nënkupton se është periudhë e shkurtë të mbarojnë atë që e kanë filluar, pra mirë është të kenë mandat të dytë që të mbarojnë atë që e kanë filluar. Unë jorastësisht përmenda se duhet të ketë edhe prokurorë të rinj.”,- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jollevski.
Në pyetje të gazetarëve nëse në kohën kur vendi është me vlerësim të dobët sa i përket krimit dhe korrupsionit, duhet të rizgjidhen kandidatë të njëjtë, Jolevski nuk tregoi se cilat lëndë me interes për opinionin kanë udhëhequr prokurorët e rizgjedhur.Të dhënat se kush sa ka punuar për të fituar mandatin e dytë në prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion Jolevski adreson të kërkohen tek Ruskoska.
“Ato raporte dërgohen tek prokurori publik, ne nuk mund të bëjmë përmbledhje të të dhënave, nuk jemi kompetentë. Ne i marrim nga Prokuroria Publike dhe nga prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion që çdo muaj i jep këtë raporte. Kërkoni nga ajo, ajo është e obliguar tua japë dhe të iu tregojë se kush çka ka punuar.”,- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jollevski.
Prokurorja Ivana Trajçeva të cilës i është vazhduar mandati, përfaqëson akuzën për rastin "Lidhja Ndërkombëtare", ku të akuzuar janë Bojan Jovanovski dhe Frosina Remenski, ndërsa ndjek edhe ish sekretarin gjeneral të Qeverisë, Dragi Rashkovskin.
FLORIJE BELULI KAMBERI
