Pendarovski, vendim për faljen e të burgosurve, në listë edhe Feta Alimi dhe 4 të tjerë

18.03.2022 11:35

Në listë gjendet edhe emri i Abdylfeta Alimit....

Presidenti Stevo Pendarovski ka marrë vendim që të fal persona të dënuar.

Në listë gjendet edhe emri i Abdylfeta Alimit, anëtarë i sigurimit të Kuvendit i cili është dënuar për ngjarjet e 27 prillit, e për të cilin kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dëshmonte se i ka shpëtuar jetën.

Lista e të falurve është nënshkruar nga Presidenti të mërkurën, ndërsa dje është publikuar në gazetën Zyrtare. Personi Aleksandar Petrovski është liruar plotësisht nga vuajtja e mëtutjeshëm e dënimit me burg.

Nga vuajtja e dënimit me burg janë liruar pjesërisht edhe Abdylfeta Alimi (8 muaj), Nexmedin Matoshi (4 muaj), Dimitar Mishkov (3 muaj) dhe Xhafer Nebija (5 muaj).

Sipas Zyrës së Presidentit, faljet janë bërë sipas procedurës ligjore dhe të gjithë personat e falur i plotësojnë kushtet për një gjë të tillë.

Abdylfeta Alimi u dënua me 6 vite burg për ngjarjet e 27 prillit 2017 në Kuvend. Ai gjatë gjykimit tha se ka vepruar me urdhër të hierarkisë.

Gjatë gjithë gjykimit, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, ka mbështetur Alimin, duke thënë se ai i kishte shpëtuar jetën natën e 27 prillit.