Grubi: Decentralizimi ngërthen idenë e barazisë
18.03.2022 13:14
Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i procesit të decentralizimit të komunave nuk është trajtuar....

Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i procesit të decentralizimit të komunave nuk është trajtuar thjesht vetëm si një proces i rëndomtë shoqëror ose institucional, por më tepër si një mision më i gjerë shoqëror, që në thelb ngërthen idealet e barazisë, mirëkuptimit, tolerancës dhe kohezionit shoqëror. Kështu deklaroi në Prishtinë zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, gjatë fjalimit në konferencën “Forumi i Qeverisjes Lokale në Ballkanin Perëndimor”, i organizuar nga Instituti kosovar për Qeverisje Lokale. Sipas Grubit, kurorë e decentralizmit është mbi të gjitha jetësimi i të drejtave tona të natyrshme në vendin me një larmi etnike e kulturore.
“Pozicionimi juridik në thelb i centralizuar para vitit 2001, krijonte pabarazi dhe diskriminim të komuniteteve, e kjo më së shumti është reflektuar te shqiptarët, si bashkësi e dytë në Maqedoninë e Veriut, duke mos u mundësuar që për zhvillimin e mjediseve të tyre të merrnin obligimet dhe përgjegjësitë vetë për shumë aspekte që lidhen me zhvillimin, arsimin, financimin, realizimin e projekteve zhvillimore dhe shumë aspekteve tjera të jetës. Në këtë konstelacion, komunat më shumë i jepnin buxhetit, se sa merrnin prej tij për zhvillimin e tyre. Mangësitë e atij modeli do të korrigjohen menjëherë pa luftës së vitit 2001 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.”,- tha zëvendëskryeministri i RMV-së, Artan Grubi.
Bislimi: Mbështesim bashkëpunimin rajonal mes komunave
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke theksuar përcaktimin e shteteve të rajonit për t’u bërë pjesë e BE-së, theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.
“Aktualisht jemi duke bashkëpunuar në 4 marrëveshje rajonale në kuadër të procesit të Berlinit dhe kemi përçuar mesazhin se vazhdojmë të jemi shumë të interesuar për nënshkrimin e tyre mbi principin e barazisë së gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor. Personalisht jam në bisedime me ministrin tonë për pushtet lokal, Elbert Krasniqi, por edhe me përfaqësues të shteteve të rajonit dhe mirëpres në çdo kohë çdo iniciative komunale të cilat kanë për bazë bashkëpunimin e komunave me komunat e shteteve tjera të rajonit.”,- u shpreh zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.
Sipas organizatorëve Forumi kishte për qëllim shkëmbimin e njohurive mes shteteve të rajonit, në proceset eurointegruese dhe bashkëpunimin tejkufitar mes komunave të vendeve të rajonit, për të përfituar nga IPA fondet. (Gyltene Sinani, TVM2)
