Rasti "Monstra" në apel, zhvillohet seanca publike pa avokat mbrojtës

18.03.2022 14:29

Edhe përkundër mungesës së avokatëve mbrojtës, Naser Raufit dhe Asmir Alispahiqit...

Edhe përkundër mungesës së avokatëve mbrojtës, Naser Raufit dhe Asmir Alispahiqit, trupi gjyqësor pranë Gjykatës së Apelit vendosi të mbaje seancë publike për rastin “Monstra”. Trupi gjykues nuk pranoi kërkesën e Alispahiqit të anulohet gjykimi, pasi që për shkaqe shëndetësore nuk mundet të jetë prezent në seancë. Trupi gjykues nuk pranoi as kërkesat e të akuzuarve, Fejzi Azirit dhe Haki Azirit, të cilët kërkuan që seanca të mos zhvillohet në mungesë të avokateve të tyre mbrojtës.
 
"Unë e kundërshtoj mbajtjen e seancës pa avokatët tanë mbrojtës. Kjo gjykatë nuk është e drejtë dhe gjykimi nuk është i drejtë pa avokatët tanë.",- tha i akuzuari, Fejzi Aziri. 
 
Në shenjë revolte i akuzuari, Haki Aziri, nuk pranoi të jetë prezent në seancë publike pa prezencën e avokatit të tij mbrojtës dhe u largua nga seanca.
 
"Ne avokatët i kemi prej 10 vitesh, e tani duhet të mbrohemi vet. Nuk e pranoj gjykimin në këtë mënyrë pa avokatët mbrojtës dhe dua të largohem nga seanca gjyqësore, nuk dua të dëgjoj asgjë. Lënda është vonuar të dorëzohet në Apel për 1 vit, ndërsa tani e shoh se vetëm doni ta përfundoni në shpejtësi.",- tha Haki Aziri.
 
Gjykata nuk pranoi as kërkesat e të akuzuarit, Fejzi Aziri, për  largimin e dy gjykatësve nga trupi gjykues për, siç tha, mundësisë për njëanshmëri. Gjykatësja, Lidija Trajkovska Zimobovska, vetëm se e ka gjykuar më parë për një rast tjetër, ndërsa Zoran Dimitrievski vetëm se ka gjykuar njëherë për rastin dhe ka shqiptuar dënim me burg të përjetshëm edhe për të akuzuarin i cili më pas u lirua nga akuza. Pasi që nuk u pranua asnjë kërkesë e të akuzuarve, trupi gjykues vazhdoi të elaborojë dhe shpalos rrethanat dhe dëshmitë nga aktvendimi i shkalles së parë.
 
Për trupin gjykues janë shumë relevante dëshmitë e shpalosura në Gjykatën Penale në veçanti dëshmia të cilën Haki Aziri e kishte dhënë në procedurën hetimore, menjëherë pas arrestimit të tij edhe pse të njëjtën më pas e ka mohuar duke deklaruar se nuk është e vërtet dhe se njëjta është dhënë nën trysni dhe pavullnetin e tij. Për rastin "Monstra" akuzohen 5 persona, tre prej të cilëve me burg të përjetshëm. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)