Maqedoni
Kumanovë, protesta pas shkurtimit të linjave të autobusëve
18.03.2022 15:21
Me dhjetëra autobusë dhe furgonë, një pjesë e autotransportuesve në Kumanovë sot kanë protestuar nëpër rrugët e qytetit dhe para komunës....

Me dhjetëra autobusë dhe furgonë, një pjesë e autotransportuesve në Kumanovë sot kanë protestuar nëpër rrugët e qytetit dhe para komunës, duke shprehur revoltën e tyre ndaj komunës dhe administratës, për mosfunksionimin e, siç thonë ata, linjave më frekuente në transportin publik në Kumanovë. Avokati mbrojtës i autotransportuesve,Viktor Bozhinovski, tha se vendimi më i ri i Këshillit komunal për pakon e linjave është në kundërshtim me Ligjin dhe i ftoi kompetentët që të pranojnë rekomandimet e Komisionit të shkallës së dytë të Ministrisë për Transport dhe Lidhje.
“Mbi 20 mijë qytetarë dhe mbi 2.500 nxënës, sërish nuk do të kenë transport publik edhe për një kohë, përderisa do të zgjasë procedura e ankimimit si dhe sjellja e vendimit nga ana e Ministrisë. Gjithçka ka mundur të kryhej me kohë dhe mënyrë të rëndomtë poqëse pranoheshin ofertat e autotransportuesve, të cilët tërësisht i kanë plotësuar kushtet e shpalljes publike, në bazë të vendimit të parë të Këshillit komunal gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.”,- deklaroi avokati mbrojtës i autotransportuesve kumanovarë, Viktor Bozhinovski.
Ndërkohë që nga Komuna kanë dalë me një kumtesë në të cilën thuhet se akuzat nga ana e një pjese të autotransportuesve kanë për qëllim krijimin e monopolist ndaj transportit publik dhe mos respektim të kontratave në kontinuitet.
“Akuzat nga një pjesë e autotransportuesve në transportin publik, të cilët kanë të firmosura kontrata me Komunën për kryerjen e kësaj veprimtarie , të cilat për fat të keq pas kontrollit të kryer të inspeksioit nuk u janë përmbajtur kontratave, janë të pabaza dhe të njëjtat i hedhim si të tilla, sepse vlerësojmë se kanë për qëllim krijimin e monopolit në transportin publik nga ana e disa Kompanive në qytet.“,- thuhet në kumtesën e Komunës si përgjigje ndaj protestave të sotme të autotransportuesve në Kumanovë.
Ndryshe, problemi me transportin publik urban në komunën e Kumanovës daton qysh nga fillimi i këtij viti.
FATLUM AQIFI
