Maqedoni

Vendimi i presidentit Pendarovski për falje, kreu i ASh-së Sela e mirëpret faljen e Fetait

18.03.2022 15:47

Presidenti, Stevo Pendarovski, ka sjellë vendim për falje për disa të burgosur...

Presidenti, Stevo Pendarovski, ka sjellë vendim për falje për disa të burgosur, përfshi faljen e pjesshme prej tetë muajsh burg për Abdylfeta Alimin - i dënuar për ngjarjet e 27 prillit. Nga kabineti i presidentit, përmes një komunikate me shkrim, kanë njoftuar se faljet si institut janë një nga kompetencat themelore kushtetuese të presidentit dhe se ka funksion korrigjues. Konkretisht për faljen e pjesshme të Alimit thuhet: “Personi Abduljfeta Alimi, i cili ka marrë lirim të pjesshëm nga ekzekutimi i mëtutjeshëm i pjesës së pavuajtur të dënimit me burg në kohëzgjatje prej tetë muajsh, i ka plotësuar kushtet e parapara me Ligjin për falje dhe praktikën e krijuar.”.
 
Po ashtu nga kabineti i presidentit thonë se të gjithë që kanë qenë në listën e te falurve i kanë plotësuar kushtet ligjore për falje. Kryetari i ASH-së Ziadin Sela e ka mirëpritur faljen prej tetë muajsh burg për Abdylfeta Alimin, megjithse thekson se Alimi që njihet si njeriu që i shpëtoi jetën Selës, ka qënruar padrejtësisht në burg. 
 
“U gëzova pa masë Feta, pa çka se tetë muaj falje s’janë asgjë në krahasim me shtatë vite padrejtësisht i dënuar. Ti duhet të jesh i lirë dhe jo i falur miku im. Falë teje jam e falë të qofsha”, shkruan Sela në Facebook.
 
VMRO-DPMNE: Duhej falur të gjithë të burgosurit padrejtësisht
 
Ndërsa nga VMRO-DPMNE, thonë se në vend të drejtësisë selektive, Pendarovski duhet ta shtrijë vendimin për falje për të gjithë të dënuarit padrejtësisht.
 
“Ne presim jo selektivitet në vendimmarrjen e Pendarovskit, presim jo selektivitet në drejtësi. Dhe në vend që drejtësia јо  selektive të ndjekë shembullin e një vendimi të tillë, ajo duhet të shtrihet për të gjithë të burgosurit e dënuar padrejtësisht.”,- u shpreh Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
Me vendim të presidentit Stevo Pendarovski, i dënuari Aleksandar  Petrovski lirohet plotësisht nga ekzekutimi i mëtutjeshëm i dënimit me burg. Pjesërisht lirohen nga ekzekutimi i mëtutjeshëm i pjesës së pavuajtur të dënimit me burgim: Nedxhmedin Matoshi në kohëzgjatje prej katër muajsh, Dimitar Mishkov në kohëzgjatje prej tre muajsh, Abdulfeta Amid Alimi tetë muaj dhe Xhafer Xhemailj Nebija i falet dënimi për një periudhë prej pesë muajsh.

SANIJE DURAKU