Bullgari, u arrestua ish kryeministri, Bojko Borisov

18.03.2022 16:22

Në bashkëpunim me Prokurorinë evropiane, Policia bullgare arrestoi ish kryeministrin, Bojko Borisov...

Në bashkëpunim me Prokurorinë evropiane, Policia bullgare arrestoi ish kryeministrin, Bojko Borisov. Ministria e Brendshme e Bullgarisë ka bërë të ditur se arrestimi është kryer në kuadër të hetimit gjithëpërfshirës të Prokurorisë evropiane, e cila pas 120 raporteve hetimore, ka hedhur dyshimet për keqpërdorim të fondeve evropiane. Ndërkohë, nga Prokuroria kryesore e Bullgarisë nuk japin sqarime, duke thënë se nuk kanë qenë në dijeni për aksionin në fjalë.                                                        

“Prokuroria bullgare nuk është e përfshirë në aksionin e ndërmarrë ndaj politikanëve. Krejt çka dimë  prej mediave është se bëhet fjalë për fonde evropiane dhe për këtë duhet të drejtoheni  tek prokuroria evropiane.”,- tha zëdhënësja e prokurorisë kryesore në Bullgari, Siika Mileva.

Duke komentuar rastin në fjalë, kryeministri bullgar Petkov ka thënë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

Ai thotë se e ka për detyrë të krijojë liri që organet të veprojnë lirshëm, në harmoni me ligjet. Kryetari i shtetit Radev, thotë se nuk përzihet në punën e agjencive shtetërore.                                                                                    

“Aksioni i MPB-së mbrëmë  dëshmoi se askush nuk është mbi ligjin në Bullgari. Unë u morra në pyetje dhe e dhashë dëshminë time. Për momentin po bëhen vërtetime  në jurisprudencën evropiane por, ku është jurisprudence bullgare dhe a do të jetë në anën e popullit, do ta shohim.”,- theksoi kryeministri, Kiril Petkov.

“Nuk përzihem në punën e agjencive për implementimin e ligjeve. Nuk mund të them nëse do të ketë akoma arrestime.”,- u shpreh kryetari i Bullgarisë, Rumen Radev.

Arrestimi i ish kryeministrit bullgar ka shkaktuar konflikt verbal mes deputetëve,  ndërsa situatën e  ka qetësuar  kryetari i kuvendit, Minçev.                                     

Ndërkohë disa qytetarët bullgar,  përmes një proteste të qetë i kanë dalë në përkrahje ish kryeministrin Borisov.                                                                      

“Jemi dëshmitar të një represioni brutal policor. Represion brutal nga udhëheqësia e shtetit.”,- tha një qytetar.

“Të nxirresh nga shtëpia natën vonë pa asnjë shpjegim,  para të afërmve dhe familjarëve, ka ndodhur vetëm gjatë vitit ’44 e ‘45.”,- u shpreh një qytetar.

Bashkë me Borisovin, policia ka arrestuar edhe disa bashkëpunëtorë të tij si:  ish ministren e  financave  Goranov, ish shefe e komisionit për financa në parlamentin bullgar Sojanova dhe  këshilltaren për media të partisë GERB,  Arnaudova. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)