Botë
Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, vazhdojnë thirrjet për ndërprerje të luftës
18.03.2022 16:49
Ushtria ruse gjatë ditës ka bombarduar një fabrikë për riparimin e aeroplanëve...

Ushtria ruse gjatë ditës ka bombarduar një fabrikë për riparimin e aeroplanëve, e cila ndodhej afër kufirit me Poloninë. Sulme ka pasur edhe në Kharkov. Mariupoli vazhdon të digjet nga flakët e mëdha të zjarrit. Nga Kievi janë evakuuar mijëra njerëz.
“Edhe një shembull për propagandën ruse, është gënjeshtër ajo që thonë se kemi kryer operacion special kundër forcave ushtarake të Ukrainës. Kjo luftë është kundër popullit ukrainas.”,- tha kryetari i Kievit, Vitalij Kliçko.
“I paralajmëroj të gjithë ata që do të provojnë të miqësohen dhe bashkëpunojnë me okupatorin në vendin tonë Ukrainën se ky do të jetë vendimi më i keq në jetën tuaj.”,- u shpreh kryetari i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Një Ukrainë neutrale, takim i drejtpërdrejtë me Zelenskin dhe largimi i ambicieve për anëtarësim në NATO, janë disa nga kërkesat që i shpalosi presidenti rus,Vlladimir Putin, në një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Zelenski është i gatshëm për bisedime sy në sy. Ndërsa dy ditë pasi e quajti kriminel lufte, presidenti amerikan, Xho Bajden, nuk ka ngurruar ta quaj presidentin rus Putin diktator, vrasës dhe bandit. Kremlini deklaratat e tilla thotë se përbëjnë ofendim personal ndaj figurës së Putinit.
Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Llavrov, theksoi se SHBA-ja sillet si padron global. Sipas autoriteteve ruse ekzistojnë dokumente për projekte biologjike ushtarake të financuara nga Pentagoni. Kjo çështje është edhe pjesë e agjendës në seancën e Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku u anulua votimi për rezolutën ruse për mbrojtjen e civilëve në Ukrainë.
“Është cinike që shumë nga kolegët tanë nga delegacione të ndryshme na thonë se u është bërë presion nga partnerët e tyre perëndimorë. Duart e tyre janë të lidhura për shkak të shantazheve dhe kërcënimeve.”,- u shpreh ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya.
“Nëse Rusia është shqetësuar vërtetë për krizën humanitare për atë që vetë e krijoji. Rusia do t’i kishte ndërprerë sulmet. Në vend të kësaj Rusia kërkon takim të ri, të cilin dëshiron ta shfrytëzojë për propagandë dhe përhapjen e dezinformatave.”,- deklaroi ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje presidentit rus, Putin që të urdhërojë ndaljen e sulmit në Ukrainë, dhe të mundësojë zgjidhje diplomatike, duke shmangur edhe katastrofën humanitare. Zyra e Scholzit ka thënë se të dy liderët kanë folur në telefon për gati një orë lidhur me “luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për t’i dhënë fund asaj”. Po ashtu njoftohet se Televizioni shtetëror rus ka ndërprerë papritur fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, teksa ai i është drejtuar audiencës në Stadiumin Luzhniki në Moskë. Kremlini ka thënë se televizioni ka pasur probleme teknike për këtë shkëputje. Putin e ka mbajtur fjalimin për të shënuar përvjetorin e tetë të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.
Bullgaria ndërkohë ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik. Edhe Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti. Nga ana tjetër një zyrtar i lartë rus ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina mund të pësojnë fatin e Ukrainës, nëse bashkohen me aleancën ushtarake të NATO-s.
FARIJE DAUTI BAKIJU
