Maqedoni
Çmimet në treg: Uljet minimale, ende të papërballueshme
20.03.2022 13:23
“Ndodhemi në një ndër tregjet më të mëdha në vend, në atë të Bit Pazarit për të parë se si po lëvizin çmimet...

“Ndodhemi në një ndër tregjet më të mëdha në vend, në atë të Bit Pazarit për të parë se si po lëvizin çmimet. Nga ajo që shohim këtu është se pas miratimit të masave anti-krizë vërehet një ulje minimale e çmimeve, por qytetarët thonë se edhe më tej çmimet janë të papërballueshme për ta”.
100 denarë kilogrami domateve, 80 denarë trangujt, kurse 120 denarë kilogrami fasules. Këto janë disa nga çmimet e prodhimeve në treg. Këto çmime sipas blerësve në treg janë të shtrenjta në krahasim me standardin jetësor. Thonë se vërejnë një ulje të vogël të çmimeve, por se shumica e produteve në treg ende mbajnë çmime të larta.
“Shumë shtrenjtë është. Kanë rënë diçka ama shtrenjtë”, shprehet qytetari.
“Çmimet janë të larta, shkaku i krizës e bën të veten, por këto dy tre ditë presim të ulen pak çmimet, por nuk e dimë se si do të jetë. Problem është në përgjithësi, jo vetëm për familjen time. Krizë e madhe është”, thekson qytetari.
“Sjanë të volitshme por çfarë të bëjmë. Ashtu ka ardhur koha. Pak diçka ka ulje”, shprehet qytetari.
Nga ana tjetër shitësit në treg thonë se me situatën e luftës në Ukrainë po pëson edhe biznesi i tyre. Shitja në treg është e dobët, kurse mallin janë të detyruar ta blejnë me çmim më të lartë se më herët.
“Ne e marrin mallin ende me çmime të vjetra. Nuk kemi çmime të reja. Puna është dobët, tash po ndodhin këto luftërat, edhe njerëzit po qëndrojnë, nuk po dëshirojnë të harxhohen”, thekson shitësi.
“Mallrat tash vijnë prej jashtë, prej në Turqi, prej në Greqi, se kur të del prodhimi i Maqedonisë atëherë çmimet do të bëhen më lirë. Dobët është puna. Mendimi jem është se njiher pandemia, e tani kjo kriza me luftën, janë mbledh të gjitha”, shprehet shitësi.
Ndërkohë, që nga 17 marsi produktet bazë si buka, mielli, mishi, sheqeri i bardh, vezët, mishi dhe vaji i lulediellit shiten me 0% TVSh. Kjo në sajë të pakos së masave anti-krizë të qeverisë. Por nga ana tjetër opozita akuzon se këto masa janë të vonuara.
BELINDA KOKA ADEMI
