Trageti “Norman Atlantik” 13 viktima

30.12.2014 18:59

Dy marinarë të anijes “Iliria”, e cila po tentonte të rimorkionte tragetin Italian “Norman Atlantik”, kanë humbur jetën ditën e sotme, duke e çuar bilancin e viktimave të kësaj ngjarje në 13....

Sipas Marinës Ushtarake italiane, dy pjesëtarët e ekuipazhit të rimorkiatorit “Iliria” u goditën nga kavoja e cila u shkëput nga trageti, duke mbetur të vdekur.

11 viktimat e tjera janë pasagjerë të tragetit që nuk arriti ta çojë në fund destinacionin e tij nga Igumenica e Greqisë në drejtim të Ankonës, kur në hambarin e tij shpërthyen flakët për shkaqe ende të papërcaktuara zyrtarisht. Aktualisht, trageti gjendet 5 milje larg ishullit të Sazanit.

Autoritetet italiane, shqiptare dhe greke kanë bashkëpunuar ngushtë për të përfunduar me sukses operacionin, i cili është përgëzuar nga kryeministri Rama, si dhe homologu i tij italian, Mateo Renzi, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Zyrtarisht, deri më tani janë shpëtuar 427 persona të bordit të tragetit, mes tyre edhe shqiptarë, ndërsa një mister shifrash ka përfshirë këtë tragjedi. Kjo, për shkak se besohet që brenda tragetit të ketë pasur edhe klandestinë, çka ngre hije dyshimi se numri i të zhdukurve mund të jetë mjaft i madh. (Luljeta Ndoka, TVM2)