Botë

Luftimet në Ukrainë, rauni i ri i bisedimeve për armëpushim

21.03.2022 11:10

Është paraparë për sot edhe një raund i ri i bisedimeve për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës....

Është paraparë për sot edhe një raund i ri i bisedimeve për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës. 
 
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka bërë thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse për paqe me Moskën falë së cilave do të rivendosej siç tha ai integriteti territorial e do të sigurohej drejtësi për Ukrainën. Apeli i Zelenskit për një raund tjetër bisedimesh erdhi një ditë pasi negociatori kryesor i Rusisë tha se palët janë afruar më pranë marrëveshjes lidhur me çështjen e heqjes dorë nga Ukraina prej qëllimit të saj për t’u anëtarësuar në NATO. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky thotë se është gati për negociata me Presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje do të thoshte: “se kjo është një Luftë e Tretë Botërore”. 
 
Shërbimet e urgjencës në kryeqytetin ukrainas, Kiev thanë se të paktën katër persona janë vrarë në një sulm. Kryebashkiaku i kryeqytetit, Vitali Klitschko tha se ekipet e shpëtimit janë ende duke shuar një zjarr të madh në vendin e sulmit. Imazhet e publikuara nga shërbimet e urgjencës tregojnë një operacion shpëtimi në një qendër tregtare në Kiev. 
 
Në ndërkohë në impiantin kimik Sumihiprom është regjistruar një rrjedhje amoniaku si pasojë e një sulmi tjetër  rus. Vlerësohet se avionët e ushtrisë ruse bombarduan në një perimetër 2.5 km rreth centralit kimit, përfshirë edhe tre fshatra për rreth. Autoritetet këshillojnë banorët e këtyre zonave të tregojnë kujdes dhe nëse ndjejnë aromën e amoniakut, të strehohen nën tokë, ose nëse nuk kanë mundësi të hapin dushin dhe të marrin frymë përmes një lecke të lagur. 
 
Më shumë se 2.1 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina për në Poloni – 2,114,000 që nga fillimi i luftës, njoftoi Roja Kufitare Polake të hënën. Vetëm të dielën, 33,800 njerëz kaluan kufirin.