Maqedoni
Modeli zgjedhorë, partitë e vogla kërkojnë një njësi zgjedhore
21.03.2022 15:18
Përpjekje e re e partive më të vogla politike për ndryshim të modelit zgjedhor pasi që kjo përpjekje disa herë dështoi....

Përpjekje e re e partive më të vogla politike për ndryshim të modelit zgjedhor pasi që kjo përpjekje disa herë dështoi. Një njësi zgjedhore në vend të gjashtë njësive, me model proporcional dhe pa prag zgjedhor, këto janë kërkesat e tyre për të cilat kërkohet konsensus nga partitë më të mëdha.
“Përveç që do t'u jepet qytetarëve mundësia për të zgjedhur, mendoj se do të çmontohet në masë të madhe ky sistem njëpartiak sepse paria që do të vijë në pushtet vendos për gjithçka.”, tha kryetari i LD-së, Pavle Trajanov.
Nga VMRO-DPMNE thonë se mbështesin plotësisht që vendi të jetë njësi zgjedhore. Sipas tyre LSDM-ja vetëm deklarativisht e përkrah këtë ide.
“Kodi Zgjedhor duhet të ketë një qëllim edhe atë të forcoj pluralizmin dhe procesin demokratik në Republikën e Maqedonisë. Në këtë mënyrë të gjendet një sistem për të shprehur sa më mirë vullnetin e qytetarëve. Në këtë drejtim jemi të hapur për të diskutuar, vërrtetë është i nevojshëm konsenzus.”, tha Mile Levkov nga VMRO-DPMNE
Bashkimi Demokratik për Integrim këmbëngul që ligji të miratohet me konsensus etnik dhe partiak për të respektuar interesat e të gjitha shtresave të shoqërisë.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha çështjet me interes në bazë të argumenteve për të vendosur si parti politike. Për çdo ndryshim që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor insistojmë që sërish të ketë konsensus të gjerë ndëretnik dhe ndërpartiak.”, tha Arbër Ademi nga BDI.
Ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor janë propozuar që në mars të vitit të kaluar, por u frenuan në seancë plenare pikërisht për shkak të pamundësisë për të arritur një marrëveshje mes partive politike.
NAIM RAMADANI
