Maqedoni

Masat antikrizë, LSDM: Japin rezultate të dukshme

21.03.2022 15:39

LSDM konsideron se pakoja e masave ekonomike, në vlerë prej 400 milionë euro...

LSDM konsideron se pakoja e masave ekonomike, në vlerë prej 400 milionë euro, po jep rezultatet e pritshme. Me këto masa, Qeveria ka mbrojtur standartin ekonomik të qytetarëve dhe likuiditetin e kompanive që të mos pushojnë punëtorë nga puna. 
 
“Realizimi i këtyre masave jep rezultate të dukshme. Me uljen e TVSH-së për karburantet dhe ukjen e akcizave penguam rritje të reja të çmimeve dhe sot, Maqedonia e Veriut ka karburantet më të lira në rajon. Me uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë në 0% dhe ngrirjen e marzhës penguam shtrenjtimin e shportës së konsumit.”, tha Fanica Nikollovska nga LSDM.
 
VMRO: Masat janë vetëm në letër
 
Në ndërkohë opozita maqedonase konsidron se masat antikrizë janë vetëm në letër. Sipas VMRO DPMNE-së, pushteti në kohë krize ka shpenzuar për mobilje rreth dy milionë euro dhe për ndërtimin e objektit administrativ të Qeverisë për Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, planifikon të shpenzojë rreth 8.3 milionë euro.     
 
“Shuma milionëshe shpenzohen pa nevojë, ndërsa Qeveria me hipokrizi sillet para qytetarëve se, kushtimisht thënë, shkurton shpenzimet joproduktive. Përkundër kësaj, në vend që të shkurtojnë ata shpenzojnë në luks. Këto janë masat antikrizë të Qeverisë. Më me rëndësi e kanë luksin se sa shqetësimin nëse qytetarët nund t’a mbyllin muajin.”, tha Dimçe Arsovski nga VMRO DPMNE.
 
Mirëpo, LSDM konsidron se VMRO vazhdon të përhap të pavërteta dhe nuk dallojnë kursimet nga investimet.
 
“Ndërtimi i objektit të institucionit qeveritar është investim kapital dhe investimet nuk do të ndalen as në kohë krize. Shpenzime joproduktive janë shpenzimet e VMRO DPMNE-së për përmendore dhe barok të rremë.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
SHPËTIM NUREDINI