Botë

Tre persona e kanë humbur jetën nga i ftohti në Bullgari, Mali i Zi në ngrica

31.12.2014 09:42

Tre persona e kanë humbur jetën në Bullgari si pasojë e "të ftohtit siberian" i përcjellë me mot të keq...

Tre persona e kanë humbur jetën në Bullgari si pasojë e "të ftohtit siberian" i përcjellë me mot të keq me dëbotë që gjatë dy ditëve të fundit e përfshiu vendin, njoftuan mediat bullgare.
 
Një i sëmurë ka vdekur në automjetin e ambulancës, i cili ka mbetur i bllokuar në borë duke lëvizur drejt spitalit në qytetin verior bullgar Lom. Në afërsi të qytetit Vraca në veriperëndim të Bullgarisë, një burrë 56-vjeçar është ngrirë deri në vdekje në automobilin e tij, pasi që ka mbetur i bllokuar në rrugë. Në fshatin Barzina në rajonin e Vracës trupi i një 90-vjeçari është gjetur i ngrirë në oborrin e shtëpisë së tij.
 
Shërbimi bullgar për mbrojtje civile gjatë ditës së djeshme ka evakuuar rreth 320 persona dhe ka zhbllokuar 640 automjete, të cilët janë mbetur të bllokuar në dëborë në pjesët veriore të vendit.
 
Për shkak të motit të keq pa energji elektrike janë dhjetëra fshatra në veri të Bullgarisë.
 
Sinoptikët parashikojnë se gjatë natës së Vitit të Ri temperaturat në Bullgari do të zbresin edhe deri në minus 15 gradë, ndërsa për ditët e ardhshme parashikohet mot edhe më i ftohtë.
 
Temperaturat në gjithë territorin e Malit të Zi dje kanë rënë nën zero, duke i përfshirë edhe rajonet detare. Temperatura më e ulët prej minus 17 gradë celsius është matur në Zhablak, ndërsa më e larta prej minus dy në Herceg Novi.
 
Për sot meteorologët malazezë parashikojnë rënie të mëtejme të temperaturave madje edhe deri në minus 22 gradë Celsius. Problem shtesë paraqet edhe era e ftohtë veriore, e cila krijon ndjenjë se është më ftohtë se sa është./mia