Botë

Biden: Rusia mund të përdorë armë kimike e biologjike

22.03.2022 11:12

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 27, ndërsa forcat ruse po tentojnë të pushtojnë vendin....

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 27, ndërsa forcat ruse po tentojnë të pushtojnë vendin. Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëron se Rusia po përgatitet të përdorë armë kimike dhe biologjike në Ukrainë. 
 
Ai tha se rezistenca ukrainase e ka vënë me shpatulla pas murit Vladimir Putin, dhe se ekzistonte rreziku që ai t’i drejtohej shpejt taktikave më mizore. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se beson që Moska po përgatitet të fabrikojë operacione të rreme për të justifikuar përdorimin e armëve të ndaluara.
 
“Putin është me shpatulla pas murit. Ai nuk e kishte parashikuar unitetin tonë dhe rezistencën ukrainase dhe kjo po e shtyn drejt taktikave gjithmonë e më të egra. Ka sugjerime se Putin ka armë kimike dhe biologjike në Ukrainë dhe po konsideron t’i përdorë të dyja”, tha Biden.
 
Moska ka pranuar përdorimin e armëve hipersonike, kundër shënjestrave ushtarake, ndërsa pamjet e shfaqura së fundmi vërtetojnë edhe pretendimet se raketa termobarike, apo bomba vakum janë lëshuar në Ukrainë. Videoja e milicive në republikën e vetëshpallur të Donetsk tregon raketat teksa lëshohen nga raketahedhëset e shumëfishta të prodhuar në Rusi.
 
Ukraina deklaron se Moska e ka rritur prezencën ajrore në 24 orët e fundit, e megjithatë avancimi i trupave është penguar nga ushtria ukrainase. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, forcat e Putinit kanë rezerva municionesh dhe ushqimesh edhe për tri ditë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar forcat ruse janë “bllokuar në Ukrainë”, ndërkohë që Mariupoli po përpiqet në maksimum për të mos iu dorëzuar rusëve. Në qytetin jugor, shkatërrimet janë të pa llogaritshme.
 
Një ditë më parë, janë evakuuar 8.000 persona nga zonat e konfliktit, sipas zyrtarëve në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky sërish ka kërkuar bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, duke theksuar se lufta nuk mund të mbarojë nëse ata nuk takohen ballë për ballë.